Koordinatori i Grupit Parlamentar të Frontit Europian, Blerim Bexheti, së bashku me deputetin Musa Xhaferi, zhvilluan sot një takim me strukturat e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çashkë, ku mori pjesë edhe kryetari i degës së BDI-së në këtë komunë, Nafi Durmishi.
Takimi u zhvillua në kuadër të intensifikimit të komunikimit me bazën dhe forcimit të koordinimit politik në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e mobilizimit të strukturave në çdo fshat e lagje të Çashkës, si dhe nevoja e një angazhimi të përbashkët për të arritur një fitore historike për Frontin Europian në këtë komunë.
“Çashka ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe një traditë të fortë organizimi. Tani është koha që kjo komunë të jetë shembull i unitetit, angazhimit dhe suksesit politik. Fitorja në Çashkë nuk është thjesht numër, por mesazh i qartë për drejtimin europian që i duhet vendit”, theksoi z. Blerim Bexheti.
Edhe deputeti Musa Xhaferi vlerësoi lart përkushtimin e strukturave dhe rolin e rëndësishëm të degës së BDI-së në Çashkë, duke nënvizuar se vetëm me bashkëpunim të ngushtë dhe angazhim të sinqertë mund të realizohen objektivat e përbashkëta politike dhe zhvillimore.
Kryetari i degës, Nafi Durmishi, paraqiti para të pranishmëve angazhimet konkrete që janë ndërmarrë në terren dhe shprehu bindjen se Çashka do të jetë një ndër zonat kyçe të fitores së Frontit Europian.
Takimi përfundoi me zotimin për një intensifikim të aktiviteteve politike në vazhdim, duke e vënë në fokus qytetarin, bashkëpunimin dhe projektin politik europian që përfaqëson Fronti.
