Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Fidan Aliti, është larguar nga skuadra e Zuerichut për ta vazhduar karrierën në Turqi.

Aliti të martën është prezantuar te skuadra e Alanyasporit, me të cilën ka firmosur kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2026. 29-vjeçari është përforcimi i gjashtë tek Alanyaspori këtë verë, ndërsa do ta bartë fanellën me numrin 2.

Detajet e transferimit të Alitit nga Zuerichu nuk janë bërë të ditura. Por ka pasur raportime se Alanyaspori ka paguar rreth 1 milion euro për Alitin, i cili kishte kontratë me ekipin zviceran deri në verën e vitit 2025. Me të firmosur kontratën me Alanyasporin, Aliti ka udhëtuar me skuadrën në Holandë për fazën përgatitore.

Tek Alanyaspori presin shumë nga Aliti, të cilin e kanë vlerësuar lartë. Ai prej vitit 2020 ishte pjesë e Zuerichut, ekip për të cilin ka regjistruar 108 paraqitje në të gjitha garat. Me Zuerichun e ka fituar titullin e kampionit në edicionin 2021/22. Te Zuerichu kanë njoftuar se Aliti i është bashkuar Alanyasporit me efekt të menjëhershëm, duke i dëshiruar suksese me klubin e ri dhe duke e falënderuar për kontributin.

“Ne po vazhdojmë ta kompletojmë ekipin për edicionin e ri. Së fundmi kemi bërë një përforcim tjetër shumë të rëndësishëm. Kemi firmosur kontratë trevjeçare me qendërmbrojtësin Fidan Aliti. Ne besojmë në cilësitë dhe kontributin e tij për Alanyasporin”, ka thënë presidenti i klubit turk, Hasan Çavusoglou në prezantimin e Alitit.

Ndërkohë, Aliti ka thënë se është shumë i lumtur që do të jetë pjesë e Alanyasporit, duke premtuar se do të bëjë të pamundurën për ta ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave. Madje ai ka thënë se nuk do ta ketë as problemin më të vogël për t’u përshtatur në futbollin e Turqisë.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Jam i vetëdijshëm për synimet e klubit tim të ri. Do të bëj gjithçka që mundem për ta bërë ekipin tonë më të mirë dhe për t’i bërë tifozët tanë të lumtur”, ka thënë Aliti. “Unë e dua shumë Turqinë dhe disa të afërm të mi jetojnë këtu. Gjithçka do të jetë më e lehtë për mua këtu sepse e di mentalitetin e turqve”.

Aliti gjatë karrierës ka luajtur edhe për Kalmarin, Skënderbeun, Slaven Belupon, Sheriff Tiraspolin e Luzernin. Prej qershorit të vitit 2017 është pjesë e Kosovës, ndërsa deri më tani ka regjistruar 46 paraqitje dhe ka realizuar një gol për “Dardanët”.

Alanyaspori prej vitit 2016 luan në elitën e futbollit të Turqisë, ndërsa edicionin e shkuar përfundoi në pozitën e 15-të./koha.net