Sipas të dhënave të Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike “Copernicus” të Bashkimit Evropian (BE), pas formimit të dukurisë së motit El Nino dhe temperaturës rekord të sipërfaqes së detit muajin e kaluar, temperatura e ajrit në tokë arriti mesataren më të lartë të matur për këtë periudhë të vitit në 11 ditët e para të qershorit.
Temperatura globale e ajrit për herë të parë në qershor tejkaloi mesataren para-industriale me 1.5 gradë Celsius. Me Marrëveshjen e Parisit synohej të kufizohej rritja e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius për periudha 20 dhe 30-vjeçare.
“Ndërsa dukuria e motit El Nino vazhdon të zhvillohet, ka arsye të pritet që mesatarja globale e temperaturës së ajrit të rritet më shumë se 1.5 gradë Celsius gjatë periudhës para-industriale gjatë 12 muajve të ardhshëm”, tha shërbimi Copernicus në një deklaratë.
Rritja mesatare e temperaturës së ajrit kishte kaluar më parë pragun prej 1.5 gradë Celsius. Megjithatë, kjo rritje është shënuar për herë të parë në muajin qershor. Pragu 1.5 gradë Celsius u kalua për herë të parë në dhjetor 2015, më pas në muajt e dimrit dhe pranverës 2016 dhe 2020.
Në raportin e saj në maj, Organizata Botërore Meteorologjike njoftoi se ekziston një probabilitet 66 për qind që temperatura mesatare globale e ajrit për periudhën 2023-2027 të mbetet 1.5 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale për të paktën një vit.