“Un jam Kurtish Imeri më kanë përzënë nga puna, dy gishta mi kanë këput, më kanë përzënë nga puna, më kanë përzënë nga puna tek NPK-ja, i këputa dy gishtat, tash më përzunë mua, fukara i shkretë, dorën ma kanë pre.”

Ky është Kurtish Imeri, i punësuar në Ndërmarrjen Publike komunale “Tetova”. Pardje u largua nga puna, por pas publikimit të kësaj videoje në rrjetet sociale, u thirr përsëri nga NPK-ja për të punuar si roje në parkun e kësaj ndërmarrjeje.

E riktheu veten në punë me një video! U pushua pasi mbeti pa dy gishta, por më pas e bënë roje

Ne gjatë ditësh së sotme u munduam të kontaktojmë me zyrën për informim pranë komunës së Tetovës,  dhe drejtorin e NPK-së Daut Memishin, por as komuna e as nga NPK-ja nuk dhanë asnjë sqarim me këtë rast.

I punësuari Kurtish Imeri në një bisedë telefonike e pranoi se ai pas publikimit të videos është thirrur  përsëri në NPK, si roje. Para kamerës nuk deshi të flasë. Në rrjetet sociale po qarkullon një fotografi ku ai shihet bashke me drejtorët e ndërmarrjes Samet Bislimi edhe Daut Memishi.

Krejt ky rast, u shfrytëzua nga këshilltarët e BDI-së, për të akuzuar Komunën dhe kryetarin.

“Në vend se të ndihmohej nga udhëheqësit e NPK-së, të zgjedhurit e Bilall Kasamit për të udhëhequr me këtë institucion vendosën që ta bullizojnë dhe diskriminojnë duke e larguar nga puna një njeri punëtor, të sinqertë dhe nevojtar. Pasi që zotëri Imeri publikoi videon në rrjetet sociale, ai u thirr në zyrat e NPK-së nga drejtorët për ta heshtur mllefin e tij ndaj monstrave që e shkarkuan nga puna”, tha Liridon Disha, këshilltar i BDI-së.