Një nga themeluesit e Lëvizjes Demokratike Muhamet Ameti nga Tetova ka reaguar në rrjetet sociale në përvjetorin e dytë të themelimit të partisë, duke shprehur zhgënjimin për mungesën e strukturave, organeve dhe drejtimit të qartë pas dy vitesh ekzistencë.

“Dy vite janë shumë – për të mos pasur ende struktura, për të mos pasur ende organe, për të mos pasur drejtim të qartë. Rinia ka shpresuar, qytetarët kanë besuar, por pritjet nuk mund të zgjasin pafund,” thekson Ameti në postim.

Mesazhi i tij nuk është urim tradicional, por një thirrje e drejtpërdrejtë për organizim dhe llogaridhënie: “Le të jetë ky përvjetori i fundit pa organe, i fundit pa llogaridhënie, i fundit me fjalë, por pa vepra.”

Sipas tij, nëse Lëvizja Demokratike nuk ndërmerr hapa seriozë për t’u strukturuar dhe për t’i dhënë drejtim veprimit politik, rrezikon të mbetet vetëm një emër që kujton atë çfarë mund të ishte, por nuk u bë kurrë, përfundon Ameti në fb.