Pavarësisht promovimeve dhe paralajmërimeve për lehtësim të qarkullimit kufitar, trafiku i gjatë në pikën kufitare të Bllacës vazhdon të jetë një problem i madh për qytetarët. Edhe pas funksionalizimit të One Stop Shop-it, qytetarët përballen me pritje të gjata, rradhë kilometrike dhe mungesë efikasiteti në kontrollin kufitar.

Ky realitet ka ngritur pikëpyetje serioze mbi efektivitetin e politikave të zbatuara nga qeveria e udhëhequr nga VMRO dhe partneri i saj shqiptar, koalicioni VLEN. Premtimet për modernizim të procedurave dhe lëvizje të shpejtë të qytetarëve kanë mbetur në letër, ndërsa në terren situata nuk ndryshon.

Ekspertët e komunikacionit dhe qytetarët pohojnë se mungesa e koordinimit të duhur dhe implementimi i dobët i reformave e ka bërë One Stop Shop-in më shumë një propagandë politike sesa një zgjidhje reale. Kjo situatë vjen në një kohë kur lëvizja e lirë dhe e shpejtë për qytetarët është jetike, sidomos gjatë sezonit të rritur të udhëtimeve.

Në vend që të shënojë një përparim, gjendja aktuale në kufirin e Bllacës vetëm sa e thellon pakënaqësinë qytetare dhe e demaskon paaftësinë e strukturave qeverisëse për të menaxhuar nevojat reale të qytetarëve.