Kjo ngjarje ka tronditur fshatin Gërçec. Ata me pikëllim tregojnë se sapo kanë pranuar lajmin, kanë shkuar në vendngjarje për të parë gjendjen e personave dhe për të dhënë ndihmë. Siç tregojnë ata, familja Arsllani ka qenë agjërueshëm, ndërsa janë nisur në drejtim të fshatit Radushë për të ngrënë iftar

Aksidenti tragjik në rrugën Saraj-Rashçe ka qenë fatal për katër anëtarë të familjes Arsllani nga fshati Gërçec. Vetura e tipit “Audi”, e cila ka qenë duke qarkulluar në drejtim të Rashçes për një moment ka humbur kontrollin dhe ka rënë në lumin Vardar. Në veturë kanë qenë pesë persona, policia ka gjetur trupat e tre personave në veturë, kurse po kërkohet personi i katërt, i cili është kryefamiljari. Përderisa, i vetmi që i ka shpëtuar aksidentit ka qenë fëmija 4-vjeçar, i cili sipas të gjitha gjasave ka “fluturuar” nga automjeti në momentin e rrokullisjes. “Në orën 18:00, nga spitalin ‘Shën Naum i Ohrit’ na njoftuan se është sjellë një fëmijë katër vjeçar, i cili më pas është transferuar në Qendrën Klinike. Në orën 21:05, zyrtarët policorë të njësitit ‘Tigrat’ kanë nxjerrë automjetin tip ‘Audi’ nga ujërat e lumit Vardar, në të cilin janë gjetur tre persona të vdekur”, njoftojnë nga MPB. Siç informuan nga Qendra për Menaxhimin e Krizave, trupat e tre personave që janë nxjerrë nga automjeti kanë qenë të gjinisë femërore.

Ekipet e shpëtimit ende janë në kërkim të personit të katërt, i cili supozohet të ketë qenë vozitësi i automjetit. Në këtë operacion kërkimi, po ndihmojnë edhe vullnetarë. Nga shoqata vullnetare zjarrfikëse “Bajram Miftari” theksojnë se kushtet e kërkimit janë ekstrem të vështira, para se gjithash për shkak të kushteve të pavolitshme klimatike.

“Për fat të keq, kushtet e vështira atmosferike dhe koha e shkurtër, dita tash është shumë e shkurtër, është errësuar herët dhe nuk kemi pasur mundësi që në kohë të nxjerrim veturën dhe viktimat që ishin në të”, theksoi Artan Demiri, kryetar i Shoqatës vullnetare zjarrfikëse “Bajram Miftari”. Demiri theksoi se ekipi i tij, në bashkëpunim me forcat e rendit, rreth orës 21:00 e kanë lokalizuar veturën dhe e kanë nxjerrë veturën nga uji. Demiri theksoi se vazhdojnë të mbeten në terren deri në gjetjen e personit të katërt. “Për personin e katërt, fati nuk dihet për të, për shkak se ujërat janë të shpejta dhe niveli është rritur shumë tash. Siç po mund të shihet, niveli i ujit është shumë i madh, ndërsa këtu siç tregojnë fshatarët gjatë verës niveli i ujit është shumë i vogël. Kjo paraqet një vështirësi shtesë për ne”, theksoi Demiri.

Kjo ngjarje ka tronditur fshatin Gërçec. Ata me pikëllim tregojnë se sapo kanë pranuar lajmin, kanë shkuar në vendngjarje për të parë gjendjen e personave dhe për të dhënë ndihmë. Siç tregojnë ata, familja Arsllani ka qenë agjërueshëm, ndërsa janë nisur në drejtim të fshatit Radushë për të ngrënë iftar. “I kam njohur, e kam pasur fqiun e parë, ai dje ka qenë agjërueshëm dhe kanë dashur të shkojnë në Radushë për të bërë iftar dhe kanë shkuar me dy vetura. Vetura e parë ka shkuar para, ndërsa vetura e dytë është ajo që është aksidentuar dhe kanë humbur jetën ato persona. Kanë rrëshqitur dhe kanë rënë në ujë. Vetëm Zoti mund ta dijë se si ka shpëtuar fëmija i vogël”, tregon me lot në sy një banor i fshatit Gërçec. “Kur dëgjuam, shkuam menjëherë në vendin e ngjarjes dhe e pamë gjendjen. Nuk kemi çfarë të bëjmë. Rruga ishte e lagësht dhe e rrëshqitshme, me gjasë kanë rrëshqitur”, thekson një tjetër banor i fshatit Grçec, fshat ky në të cilin jetonte familja Arsllani.

Fëmija katër vjeçar, i cili shpëtoi aksidentit, është në gjendje të mirë shëndetësore, ai gjendjet në Klinikën për Kirurgji të Fëmijëve. Mjekët theksojnë se gjendja e tij është stabile dhe se së shpejti do të lëshohet nga spitali.

“Në mëngjes bëmë kontrolle shtesë bio-kimike, të cilat janë të domosdoshme për tu ndjekur gjendja e tij. Parametrat janë në rregull, fëmija veçmë është transferuar në repart dhe shumë shpejt do të jetë i lëshuar në kurim shtëpiak, pra gjendjet jashtë rrezikut për jetë”, theksoi drejtori i Klinikës për Kirurgji të Fëmijëve, Llaze Jovçevski. Ai gjithashtu informoi se fëmija gjendjet në spital së bashku me nënën e tij. “Ekipi kujdestar u përkujdes dhe komunikoi me nënën e fëmijës dhe veçmë ata janë së bashku në spital”, theksoi Jovçevski.

Zyrtarisht ende nuk janë të njohura shkaqet e aksidentit. Nga Prokuroria theksojnë se po veprojnë për zbardhje të plotë të rastit. Siç informoi PTHP, prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup dje ka kryer kontrollin në Rashçe, ku ka rënë vetura me pasagjerë në ujërat e lumit Vardar. “Pavarësisht kushteve jashtëzakonisht të vështira në terren të paarritshëm, janë ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e gjurmëve dhe provave me qëllim përcaktimin e shkaqeve të aksidentit. Sipas informacioneve fillestare, automjeti drejtohej nga njëri prej të ndjerëve. Gjithashtu, do të lëshohet urdhër për ekspertizën e makinës. Sipas udhëzimeve të prokurorit publik janë intervistuar dëshmitarët okularë të ngjarjes, si dhe familjarët e familjes në automjet për zbardhjen e të gjitha rrethanave”, thuhet në kumtesë e Prokurorisë Themelore. (koha.mk)