Tre shtetas bullgarë janë arrestuar nën dyshimin për spiunazh për Rusinë teksa jetonin në Britaninë e Madhe, raportoi të martën “The Guardian”.
Të pandehurit ishin mes pesë personave të arrestuar në shkurt pas një hetimi të gjatë kundër terrorizmit. Tre prej tyre u akuzuan më pas për posedim të dokumenteve të rreme të identitetit, sipas policisë Metropolitane, e cila është përgjegjëse për rastet e spiunazhit.
BBC-ja ka raportuar se ata akuzohen se punojnë për shërbimet e sigurisë ruse. Ata thuhet se mbanin pasaporta dhe karta identiteti nga Bullgaria, Franca, Italia, Spanja, Kroacia, Sllovenia, Greqia dhe Republika Çeke.
Tre spiunët e dyshuar janë Orlin Roussev, 45 vjeç nga Great Yarmouth, Norfolk; Biser Dzhambazov, 41 vjeç nga Harroë, në veri-perëndim të Londrës, dhe Katrin Ivanova, 31 vjeç, nga e njëjta adresë Harroë.
Treshja kishte jetuar në Mbretërinë e Bashkuar për vite, duke punuar në një sërë punësh dhe duke jetuar në një sërë pronash periferike.
Vitet e fundit spiunët rusë janë përfshirë në disa komplote të profilit të lartë, duke përfshirë vrasjen në vitin 2006 të disidentit rus Alexander Litvinenko dhe tentativën për vrasje në vitin 2018 të dezertorit rus Sergei Skripal.
Qeveria britanike ka dëbuar më parë disa oficerë të inteligjencës ruse që punonin në ambasadën në Kensington nën mbulim diplomatik. Në mars 2018, kryeministrja e atëhershme, Theresa May, dëboi 23 diplomatë rusë të akuzuar për spiunazh, pas helmimit të Skripalit dhe vajzës së tij, Yulia./koha.net
