Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov ka rikthyer kërcënimet e tij të ashpra, me siguri në emër të presidentit rus Vladimir Putin, duke qenë se është një aleat i ngushtë i tij.

Kadyrov ka thënë se forcat e tij do të sulmojnë Danimarkën, Suedinë dhe vendet e tjera ku kopjet e Kuranit janë djegur javët e fundit. Kadyrov, i cili ka qeverisur Republikën Çeçene me një dorë të hekurt që nga viti 2007, u shfaq këtë muaj në një video në të cilën, duke folur me ndihmësit e tij, tha se ishte i sigurt për rrjedhën e luftës në Ukrainë.

Udhëheqësi çeçen dhe besnik i Kremlinit tha: “Jam i bindur 100 për qind se do të fitojmë.”Më pas ai sugjeroi se ka plane që trupat e tij të dërgohen më në veri në kontinentin evropian. Ai tha: “Ne do të përfundojmë në Ukrainë dhe do të vazhdojmë në ato vende që fyejnë Kuranin e Shenjtë.”

Ndërsa ai nuk përmendi ndonjë vend specifik në videon e tij, Gjermania, Danimarka dhe Suedia janë ndër kombet që kanë patur disa raste të kopjeve të Kuranit të djegura në publik si një formë proteste.

Në korrik, një grup turko-musliman i quajtur DITIB tha se një Kuran u dogj dhe u hodh nga një automjet në lëvizje përpara një xhamie në qytetin Maulbronn, në Gjermaninë jugore.

Në mesin e shumë incidenteve në Suedi, më e spikatura daton në fund të qershorit, kur një refugjat 37-vjeçar irakian hoqi dhe i vuri flakën faqeve të librit ndërsa qëndronte para xhamisë së Stokholmit.

Kjo video u publikua pasi ministri i Çeçenisë për politikën kombëtare, marrëdhëniet e jashtme dhe informacionin, Akhmed Dudayev, pranoi se djali adoleshent i Kadyrov, Adam, kishte rrahur në një qendër paraburgimi një tjetër të ri rus, të akuzuar për djegien e Kuranit në qytetin e Volgogradit./koha.mk