Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska pret që deri në fund të vitit të gjendet një zgjidhje për definimin e pensionit minimal, përmes dialogut  në grupin e punës në të cilin do të ketë përfaqësues të nominuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Shoqata e Pensionistëve dhe nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

Trençevska theksoi se në seancën e ardhshme të Qeverisë do ta dorëzojë informacionin në lidhje me formimin e grupit të punës, i cili duhet ta vazhdojë debatin pas çështjes për pension minimal, gjegjësisht ligj ose ndryshim të Ligjit për sigurim pensional.

“Pres që përmes dialogut deri në fund të vitit të gjejmë një zgjidhje adekuate, natyrisht duke ndjekur shembujt e vendeve të tjera, një zgjidhje adekuate se si të përcaktojmë pensionin minimal në vend, i cili do të jetë mbi pragun e varfërisë të përcaktuar nga Banka Botërore”, tha ministrja Trençevska në pyetjen e gazetarit pas vizitës në Qendrën për qëndrim ditor për të moshuarit në komunën e Çairit.

Ajo bëri të ditur se pritet rritje e re e pensioneve, sipas metodologjisë së re në vitin 2022 sipas kostos së jetesës dhe rritjes së pagës mesatare, pensioni minimal për shtatorin do të arrijë mbi 13.300 denarë.

“Presim që këto ditë t’i marrim të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë, në bazë të këtyre të dhënave do të shohim se sa do të jetë. Është e mundur 6 ose edhe më shumë se 6 për qind.  Prandaj thashë se do të shkojmë me deklarata të paktën me 6 për qind, mund të jetë edhe diçka më shumë, varet nga statistika”, tha Trençevska.

E pyetur nëse ka kompromis që pensioni minimal të jetë 18.000, siç është një nga kërkesat e pensionistëve, ministrja thekson se kjo do të nënkuptonte një ngarkesë shtesë të Fondit  për Sigurim Pensional dhe do ta rrezikonte stabilitetin e tij.

“Sa herë që krijohen politika, duhet të merret parasysh stabiliteti i fondit pensional, 18,000 është një çmim joreal, sepse paga jonë minimale është 20,000. Kjo do të thotë një barrë shtesë për FSPI-në dhe duke na vënë në një situatë që pas tre, katër muajsh të pyesim nëse 330 mijë do të marrin pension. Si shtet, si ministre, si qeveri duhet të kujdesemi për stabilitetin e FSPI-t, duhet të kujdesemi për pagesën me kohë të pensioneve, çdo muaj pensionistët do t’i marrin pensionet të gjithë 3330 mijë”, tha Trençevska.

Ajo nënvizoi se nuk ka nevojë për masa populiste që do të kënaqin të gjithë pensionistët në një periudhë të caktuar disamujore, përfshirë edhe ata me pensionin më të ulët, por që në terma afatgjatë do të vihet në pikëpyetje stabiliteti i Fondit. Ajo ka theksuar se pensionet janë kategori ekonomike dhe jo sociale.

“Nuk do të lejoj kurrë që si ministre ku një nga prioritetet e mia kryesore janë pikërisht pensionistët, kategoria më e vjetër e qytetarëve, të vë në pikëpyetje pagesën e pensioneve për asnjë nga këta 330 mijë pensionistë. Dhe një gjë tjetër, shuma e pensionit varet nga sa investojmë në sistemin e sigurimit pensional dhe invalidor gjatë jetës sonë të punës. Është e padrejtë të barazosh personat që kanë 15 vite shërbim dhe personat që kanë 40 vite shërbim sepse me 40 vite shërbim absolutisht me kontributin tënd nëpërmjet sistemit të kontributeve pret të kesh një pension më të madh. Dhe ata pensionistë që marrin aktualisht pensionin minimal, shumica e tyre kanë 15 vite stazh pune. Dhe shumica e tyre nuk e kanë arritur vlerën e pensionit minimal. Nëse sistemi nuk do të ishte solidar siç është për momentin, do të kishin marrë një pension shumë më të vogël. Mirëpo, për shkak të sistemit të solidaritetit kemi vendosur linjë nga e cila nuk do të ketë pension prej 12.500 denarë. Në shtator do të jetë mbi 13.300”, tha Trençevska.