Narrativi dhe mesazhet që vijnë nga këto “treshe” janë një fenomen i njohur tashmë për opinionit, konkretisht për ndryshimet kushtetuese sepse pa to, siç thonë misionarët evropianë, vendi kërcënohet me vite të tëra të mbetet në izolim
Xhenur ISENI
Shkup, 18 korrik – Nuk ka kaluar as një javë që kur vendi u vizitua nga “Treshja e Vishegradit” e përbërë nga përfaqësues të Austrisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke, sërish një “treshe” e re evropiane erdhi për të vizituar vendin, këtë herë me emrin “Treshja e Vajmarit”, i përbërë nga zyrtarë të lartë qeveritarë të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë. Narrativi dhe mesazhet që vijnë nga këto “treshe” janë një fenomen i njohur tashmë për opinionit, konkretisht për ndryshimet kushtetuese sepse pa to, siç thonë misionarët evropianë, vendi kërcënohet me vite të tëra të mbetet në izolim.
Por përgjigja e tyre në pyetjen nëse Bullgaria do të kënaqet vetëm me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë është e njëjtë. Shkurtimisht thonë se shpresojnë të mos ketë kushte të reja. Në atë pjesë kanë vetëm shpresa dhe asgjë më shumë. Analisti politik Sinisha Pekevski konsideron se misione të tilla janë disfatë për diplomacinë maqedonase dhe se nuk ka arsye që dikush të gëzohet kur të huajt vijnë të na imponohen, të na urdhërojnë dhe të na bëjnë presion që të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Kjo nuk ka të bëjë me udhëzime me qëllime të mira apo këshilla nga përvoja. “Në thelb, misione të tilla janë një disfatë për diplomacinë dhe vendin tonë. Personalisht, jam i habitur pse partitë në pushtet janë të lumtura kur të huajt vijnë të na modelojnë për diçka që nuk është një e mirë apo vlerë universale. Unë e kuptoj transferimin e ‘know-how’ për të luftuar krimin, korrupsionin, përmirësimin e sistemit të drejtësisë etj. Por nuk i kuptoj misionet për të imponuar gjëra që lidhen me identitetin, emrin, karakterin e shtetit, simbolet etj, dhe të pretendosh se ndryshimi i këtyre veçorive është – ‘për të mirën tonë’!? Jo, nuk është për të mirën tonë, ata thjesht ndjekin agjendën e tyre dhe ne vuajmë, gjë që tregon se të huajt e masin suksesin e tyre duke mbyllur një çështje të hapur. Nuk ka arsye për t’u zemëruar me të huajt, por duhet të jemi të zemëruar me politikanët tanë që lejojnë të tjerët të krijojnë fatin tonë”, thotë Pekevski. Sipas tij, me sjellje të nënshtruar ndaj gjithçkaje që na thonë të huajt, jo vetëm prekim fundin, por zhytemi edhe më thellë.
Mbështetje e qartë dhe e fuqishme e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vazhdimin e negociatave me BE-në dhe integrimin e përshpejtuar evropian, është shprehur në takimin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski me përfaqësuesit e lartë të Treshes së Vajmarit, Lorans Bun, ministre shtetërore përgjegjëse për Evropën në Këshillin e ministrave të Republikës së Francës, Ana Lirman, ministre për Evropën dhe klimën e Republikës Federale të Gjermanisë dhe ministrin për Bashkimin Evropian të Republikës së Polonisë, Shimon Shinkovski vel Senk, të cilët janë për vizitë zyrtare në Shkup. Në takim, siç njoftoi shërbimi për shtyp qeveritar, u vlerësua se vendi ynë aktualisht po përballet me një mundësi unike për të hedhur hapin kyç në integrimin evropian dhe për të siguruar perspektivën evropiane, me mundësinë e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Kjo, siç u tha në takim, do të kontribuojë në zbatimin e detyrueshëm dhe të përshpejtuar të standardeve evropiane në të gjitha fushat me rëndësi për qytetarët, si përmirësimi i standardeve të jetesës dhe sundimi i ligjit.
Gjithashtu, bashkërisht u theksua se zgjerimi i Unionit, veçanërisht në kontekstin aktual, nuk është vetëm një procedurë teknike, por prioritet gjeopolitik i BE-së. Prandaj, siç thuhet në komunikatë, pa mëdyshje ka pritshmëri që të gjitha subjektet politike në vend të konfirmojnë orientimin evropian, duke i dhënë mbështetje në Kuvend vendimeve të ardhshme, të cilat, siç u theksua, janë pjesë e kornizës së negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
Kryeministri Kovaçevski i falënderoi përfaqësuesit e Treshes së Vajmarit për mbështetjen e madhe në procesin e integrimeve evropiane që kanë qytetarët e Maqedonisë dhe inkurajimin e fuqishëm për të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend që të vazhdojnë punën konstruktive në ndërtimin e një konsensusi ndërpartiak për hapin e ardhshëm në procesin e negociatave.
Nga ana tjetër, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska ka zbuluar se çfarë është diskutuar në takimin të ministrave për Evropë të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë me kryesinë e VMRO-DPMNE-së. “Përsëri një formacion i ri i komisionerëve evropianë. Ne nuk do të ndryshojmë qëndrimin tonë. Nga ana e tyre thuhet se ky është momenti i fundit, kapni valën, ky është treni i fundit. E përsërisim se në disa raste në Maqedoni kanë ardhur personazhe të ndryshëm dhe na kanë thënë të njëjtën gjë, por edhe pas 15, 16 vitesh Republika e Maqedonisë nuk është anëtare e BE-së dhe negociatat nuk kanë filluar. Fatkeqësisht, tani jemi në derën e një ultimatumi. Ne thjesht kthehemi në të njëjtën pik. As një milimetër nuk ka devijuar nga qëndrimi i mëparshëm”, tha Stojanoska. (koha.mk)