1. Kishte ca shkrime kritike këto ditë se si vetëm në Maqedoni kremtohet Dita e Alfabetit si festë, pa iu kujtuar deri tash ta bëjë as Shqipëria, as Kosova. Që Kongresi i Alfabetit ka ndodhur në Manastir, e Manastiri është në Maqedoni, nuk e mohon faktin se ai alfabet është i gjithë shqiptarëve, ndaj dhe se duhet ta shënojnë të gjithë njësoj. Por, vetëm një ditë pas akademisë solemne në Shkup, në Takimin e tretë të Ditës së Diasporës shqiptare në Tiranë, Edi Rama e shpalli ditë kombëtare!

Më mirë vonë se kurrë!

Të kalosh gjithë këto dekada të zhvillimit të shtetit shqiptar, dhe tek në vitin 2023, të të kujtohet ta shpallësh ditë kombëtare, është paksa anakronizëm, sepse s’mund t’i ikësh pyetjes përse deri tash jo, përse u desh të bëhet kaq vonë?!

Ndoshta faktori kyç është një “rastësi”?! U desh që më 21 nëntor në Shtëpinë e Alfabetit të vijë presidenti shqiptar(Bajram Begaj) dhe i entuziazmuar prej saj dhe prej faktit që e ka mësuar këtu se për shqiptarët është ditë feste dhe se ndahet një çmim shtetëror për kontribut në arsim dhe kulturë dhe aty për aty i ka shkrepur në kokë se s’është në rregull që Shqipëria të mos e shënojë këtë ditë, nga më të rëndësishmet për zhvillimin e popullit shqiptar dhe këtë, pastaj, ia ka përcjellë kryeministrit (Rama pranoi se e ka pranuar sugjerimin e tij) dhe këtë pastaj Rama, siç din të bëjë shpesh, e gjen momentin që në ditën e Diasporës Shqiptare, Ditën e Alfabetit edhe ta shpallë si festë kombëtare si propozim zyrtar të Qeverisë. (Këtë pastaj ia sugjeroi edhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit, që t’ia propozojë “kryeministrit të saj”).

  1. Bajram Begaj ishte në Manastir, e bashkë me të, i ftuar në solemnitetin e hapjes së konferencës shkencore kushtuar familjes Qiriazi. Shoqata “22 Nëntori” kishte ftuar edhe liderët partiakë dhe përfaqësues të tjerë të lartë. Ndër ta, foli edhe ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri. Përveç porosive të pritura në një solemnitet si ky, ai bëri dhe një gjest pajtues e uniteti, por dhe respekt të protokollit, që është për çdo lëvdatë. Përveçse presidentin Bajram Begaj, ai përshëndeti liderin e partisë së tij, Ali Ahmetin, por dhe kryetarin e Gostivarit, Arben Taravarin (partner koalicioni), kryetarin e Tetovës dhe lider të Lëvizjes Besa, Bilall Kasamin dhe kryetarin e Çairit, Visar Ganiun, që të dy kundërshtarë politikë.

Vërtet një gjest parimor në këtë ditë ku dallimet politike u lanë në plan të dytë për shkak të një ngjarjeje përbashkuese.

  1. Kur jemi te dita e alfabetit shqip, nuk mund të mos komentohen fjalimet e shkëlqyeshme të tre folësve në akademinë solemne në Shkup. Presidenti Pendarovski, kryeministri Kovaçevski dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, secili në mënyrën e vet, nënvizuan madhështinë e kësaj dite për njësimin e një alfabeti dhe ndikimi i tij në emancipimin e kombit tonë. Nga fjalimet më së shumti do të na ketë pëlqyer ai i shefit të shtetit, tejet përmbajtësor me njohuri për vetë ngjarjen dhe mesazhe të forta të konstektualizimit shoqëror e politik të bashkëjetesës, si në të kaluarën, si në të tashmen. Por dhe porosia e Ali Ahmetit, drejtuar dy mysafirëve në gjuhën e tyre amtare, do të ketë bërë jehonë në mediat në gjuhën maqedonase, sepse, ndryshe nga ç’i trajtojnë qëndrimet e Ahmetit, kësaj radhe do të duhej t’ia jepnin “bravo!”jo të vogël për solidarizimin për problemin e gjuhës, aq shumë të trajtuar në raportet me Bullgarinë.
  1. Ndonjëherë ata pleqtë e fjalëve të urta thoshin se nuk blen shtëpinë, por kojshinë. Sepse kur të doje të blesh shtëpi, pyet për fqinjin dhe nëse nuk e pëlqen, kërkon tjetër. Për fat të keq, popujt nuk mund të zgjedhin se kë duan ta kenë fqi. Prandaj dhe ka popuj që nuk janë të lumtur që na kanë në fqinjësi, por ne jemi këtu. Ndoshta ne nuk jemi të ngazëllyer si popull që kemi këta fqinjë që i kemi, por ata na kanë ndodhur këtu.

Në planin politik e njerëzor, për shkak të bontonit, shpesh marrëdhëniet i quajmë të shkëlqyera, tradicionalisht të mira, vëllazërore, ama vetëm pak të mos u shkosh përshtati, fqinji tregon “thonjtë”. Kështu vepron Greqia, sa herë vlerëson se i cenohet ndonjë interes, duke harruar kështu “vëllazërinë”. Kështu vepron edhe Bullgaria kundrejt Maqedonisë, derisa të mos e arrijë qëllimin që ia ka vënë vetes duke parë dobësinë e fqinjit. Për Serbinë, nuk ka çka të thuhet…

Greqia është në gjendje për një “plesht” (Fredi Belerin) ta djegë jorganin (fqinjësinë me Shqipërinë)! Pas shumë intervencash për ta lëshuar kryetarin e Himarës nga paraburgimi, dhe Shqipëria nuk lëshoi pe, tash Greqia është koncentruar te një kërkesë tjetër: të paktën, t’i lejohet të japë betimin, qoftë edhe në burg, duke mos prejudikuar gjykimin. Kështu thonë. Por ajo që është e re, është kërcënimi se për shkak të Fredi Belerit, do ta pengojë Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE!

Bravo, kështu duhet! E kanë pozicionin e privilegjuar si anëtare në BE, çka t’u kujtohet mund t’i kërkojnë fqinjit.

Nëse Shqipëria do të vepronte njësoj, në atë rast do të ishte si meseleja e lopës së kadiut!

Bullgaria është një shembull tjetër ekzemplar në kuptimin ironik. Marrëdhënie të mira? Nëse kujtojmë se ishte ndër shtetet e para që e njohu Maqedoninë, sot këto marrëdhënie do të kishin lulëzuar në një kopsht parajse! Por jo, sot marrëdhëniet janë më mbrapa se dikur, përkundër marrëveshjeve për fqinjësi të mirë. Kryeministri bullgar Nikollaj Denkov në Parlamentin Evopian u zu ngushtë nga parlamentarë gjermanë, por ai nuk pranoi faj për përkeqësimin e marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut, edhe pse një ekspertizë e përciptë e shkaqeve, do të nxirrnin Bullgarinë vendin që shpik kushte për fqinjin. Dhe Denkov ndërroi tezën, për t’u treguar zemërgjerë si fqqi i mirë. Tha se Bullgaria nuk do të vë kushte të tjera(edhe këto që i ka vënë deri tash janë jashtë marrëveshjes, por s’u behet vonë!), përveç atyre që i ka vendosur BE-ja vitin e kaluar.

Por kështu luajnë si maca me miun fqinjët anëtarë të BE-së, këmbëngulin në diçka, edhe kur është joparimore, kanë të drejtën e vetos, kurse BE-ja duke mos pasur mekanizëm tjetër, më kollaj e ka t’i pranojë si kushte të veta, se sa t’i qortojë anëtaret e veta! Kritikat që ia drejtuan Bullgarisë eurodeputetët, sigurisht i ka marrë era posa i kanë nxjerrë prej goje. Për atë skandalozin Angel Xhambaski që përdori fashizmin si atribut për eurodeputetët e Maqedonisë, për çka reaguan disa eurodeputetë të tjerë, s’ka çka të thuash tjetër, pos asaj fjalës kosovare, mos e vet se t’kallzon vet.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA) Daut Dauti