Në kampusin e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Shkup është mbajtur ceremonia e ndarjes së diplomave për studentët që diplomuan në vitin akademik 2022/2023 në studimet universitare dhe pasuniversitare, raporton Anadolu.

Në ceremoni morën pjesë ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga; ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Mexhiti; ambasadori i Türkiyes në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök; rektori i IBU-së, Mehmet Dursun Erdem; kryetari i bordit drejtues të Universitetit, Recep Süleyman Özdil; kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu; përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe lokale, përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokal, politikanë, si dhe si studentët e diplomuar dhe familjet e tyre.

Ambasadori Sekizkök theksoi se vendet që investojnë në arsim janë vende që dallojnë në zhvillimin social dhe ekonomik.

“Türkiye, e cila i qëndron përkrah Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia e saj, nën udhëheqjen e presidentit tonë (Recep Tayyip Erdoğan) ka treguar mbështetjen e saj në fushën e arsimit të lartë dhe ka mundësuar themelimin e këtij universiteti. Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik ka bërë shumë gjëra që janë për t’u përshëndetur”, theksoi ai.

Kryetari i bordit drejtues të universitetit, Özdil, tha se IBU është themeluar si një nismë e rëndësishme për zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Sot do të merrni diplomat tuaja që përfaqësojnë diplomën tuaj universitare, pasuniversitare apo doktoraturën. Por sot nuk do të jetë dita e fundit e arsimimit tuaj. Sepse arsimi është një proces që nuk ka fund dhe vazhdon gjatë gjithë jetës”, theksoi Özdil në fjalimin e tij para studentëve.

Rektori i IBU-s, Erden, theksoi se universiteti është lokomotiva e këtij rajoni dhe shtoi: “Si një universitet që ka prioritet cilësinë dhe jo fitimin, IBU me identitetin e tij si një universitet privat-fondacion po rrit gradualisht ndikimin e tij shkencor dhe social në Maqedoninë e Veriut. Në këtë drejtim, IBU është një universitet ndërkombëtar me plotkuptimin e fjalës”.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Lloga, tha: “Të dashur studentë, jeni në periudhën më të bukur të jetës suaj. Periudhë në të cilën nga sot filloni zyrtarisht të shkruani një kapitull të ri me të cilën përfundoni ciklin afatgjatë arsimor dhe filloni një të ri, shumë më ndryshe. Gjatë kësaj periudhe do të përballeni me një sërë sfidash. Do keni shumë ulje-ngritje. Por mos harroni se sukseset më të mëdha janë rezultati i atyre të fundit. Përdoreni kohën tuaj në mënyrë racionale dhe keni durim. Diplomimi nuk është fundi, por fillimi i një jete të re dhe sfidave të reja”

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Mexhiti, theksoi: “Vetëm duke mësuar vazhdimisht, duke investuar në veten tuaj, duke zhvilluar aftësi, duke përfituar përvoja të reja, mund të jeni konkurrues në tregun e punës dhe të jeni sa më të suksesshëm në fushën tuaj profesionale të veprimtarisë”. 

Në këtë ceremoni u përcoll edhe mesazhi i ish-kryetarit të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop.

Gjatë ceremonisë, maturantët më të mirë të fakulteteve u shpërblyen me çmime./anadoluagency