Dekani i Fakultetit Juridik, pranë Universitetit të Tetovës, Safet Emruli, në një deklaratë për MIA informoi se vendimi për ndërprerjen e kontratës i është dorëzuar Grubit, i cili u iniciua për shkak të mungesës së pajustifikuar në vendin e punës. “Procedura për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me personin e përmendur është përfunduar. Kjo do të thotë që ai tashmë nuk është në marrëdhënie pune në Universitetin e Tetovës. Vendimi për ndërprerjen i është dërguar me postë dhe elektronike në email-in zyrtar,” deklaroi Emruli për MIA.
Sipas nenit 82 të Ligjit për Marrëdhënie Pune, punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës së punonjësit pa afat të njoftimit në disa raste, ndër të cilat është edhe mungesa e pajustifikuar nga puna për tre ditë pune radhazi ose për pesë ditë pune gjatë një viti.