Ndërtimi i hidrocentraleve në malin Sharr nga njerëz për të cilët dyshohet se janë të lidhur me pushtetin, i ka revoltuar banorët e fshatrave të malësisë së Tetovës. Ditë më parë u ngritën në protestë. Po sikur të mos mjaftonte kjo, janë përballur edhe me dëmtim të rrugëve dhe shkatërrim të të mbjellave.
“Ne kemi investuar për pronat tona, rrugën tre kilometra e kemi hapur me vetë kontribut për të shkuar te arat që i kemi mbjell. Kam harxhuar 20.000 euro për t’i bërë si duhet, e tash s’mund të shkoj as ta kosis barin asgjë. Na janë shkatërruar pronat shkurt, jo vetëm mua por gjithë fshatit, madje e patë edhe në fshat ka të çara muresh nga ky hidrocentral.”
“Me shumë probleme përballemi, natyrën e kanë prishur, rrugën e kanë prishur, rrugën që e hapi zotri Qaniu për arat e kanë shkatërruar, është rrënuar vendi krejt dhe askush s’na pyet asgjë. Në s’jemi kundër këtyre pronarëve, por jo edhe të na dëmtojnë gjithë fshatin.”
“Pronat private i ka shkatërruar krejt. Më e keqja është se dikush ia ka mundësuar zotërisë që gjitha arat që i kemi këtu dikush ia ka hedh mbi vete pronarit të hidrocentralit. Unë nuk e di por a e di policia, gjyqi, prokuroria si mund dikujt të ia uzurposh tokën pa nënshkruar.”
Në lidhje me këtë problematikë ka pasur reagim edhe nga drejtori i Parkut Nacional të Sharrit, Ibrahim Dehari. Ai kërkon që të respektohet Ligji për parqet nacionale dhe të ndalohen hidrocentralet.
“Në zonat e mbrojtura, Parqe kombëtare, hidrocentralet janë kategori e ndaluar, dhe kjo, është edhe me konventën ndërkombëtare. Kështu që nga ky vend i bukur natyror por i thyer nga faktori njeri dhe me këtë varrezë pas nesh me çelik, apeloj tek Ministritë dhe Qeveria që të del në ndihmë dhe të anuloj këto koncesionerë që kanë pas një leje të caktuar por që iu ka kaluar afati, që ky vend të kthehet në gjendje siç ka qenë.”- deklaroi Ibrahim Dehari, drejtor i Parkut Nacional të Sharrit
Përndryshe, përveç që ende nuk janë ndërprerë punët e hidrocentraleve në malin Sharr, bëhet e ditur se hidrocentraleve iu janë vazhduar koncesionet e punës, ndërsa ata që kanë ndërtuar, dhe shkatërruar rrugët apo tokat e banorëve, asnjëherë nuk i kanë kthyer të njëjtat në gjendjen e mëparshme. /tv21