Në mbledhjen e sotme të Këshillit Komunal të Komunës së Sarajit, me votat e shumicës së re prej 10 këshilltarëve, është shkarkuar nga detyra kryetari i Këshillit, Iljas Veseli, nga radhët e AKI-së.
Sipas reagimit të tij publik, Veseli thekson se shumica e re është krijuar përmes marrëveshjeve të natës dhe, siç shprehet ai, për interesa personale dhe klanore. Ai akuzon se kjo lëvizje është nxitur nga kryetari i komunës, Muhamed Elmazi, me qëllim të kontrollit të plotë mbi vendimmarrjen lokale.
Veseli vlerëson se vendimi për shkarkimin e tij nuk pasqyron vullnetin e qytetarëve, por synon hapjen e rrugës për miratimin e vendimeve që, sipas tij, janë në dëm të interesit publik. Ai përmend si shqetësim kryesor planifikimin për shitjen e tokave në zona të ndryshme të komunës, si dhe paralajmërimin për marrjen e një kredie prej 2 milionë eurosh nga ana e komunës, barrë që do të rëndojë mbi taksapaguesit.
Në deklaratën e tij, ai thekson se gjatë kohës sa ka qenë në krye të Këshillit, vendime të tilla nuk do të kishin kaluar, duke e konsideruar këtë si arsye kryesore për largimin e tij nga posti.
Veseli gjithashtu njofton se së bashku me këshilltarët e AKI-së do të vazhdojnë të veprojnë në mbrojtje të interesit publik dhe të kundërshtojnë çdo vendim që, sipas tyre, dëmton qytetarët e Sarajit.
Ngjarja pritet të ndikojë në zhvillimet e mëtejshme politike në komunë, ndërsa mbetet për t’u parë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të shumicës së re në Këshillin Komunal.
