Pamje të ndotjes së ambientit vazhdojnë të përsëriten në mënyrë të shpeshtë, duke reflektuar një problem të thellë të mungesës së përgjegjësisë qytetare. Pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm të ndërmarrjes komunale dhe organizimit të iniciativave të rregullta për pastrim, ndotja nga individë të papërgjegjshëm mbetet një sfidë serioze.
Institucionet lokale shprehin shqetësimin dhe ngrejnë pyetjen se çfarë duhet bërë më shumë për të rritur vetëdijen qytetare dhe për të parandaluar dukuri negative dhe shëmtuese, të cilat jo vetëm që dëmtojnë imazhin e komunës, por përbëjnë edhe rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Në një reagim të fundit, institucionet lokale kanë theksuar se do të vazhdojnë pa ndalur punën e tyre për mirëmbajtjen e ambientit, por njëkohësisht kanë bërë thirrje për bashkëpunim të gjerë qytetar. “Vetëm bashkë mund të arrijmë të ndërtojmë një shoqëri më të ndërgjegjshme dhe të mbrojmë ambientin jetësor për brezat që vijnë,” thuhet në apelin e kryetarit të komunës së Sarajit në profilin e tij në fb z.Iljas Veseli.