Koalicioni VLEN hodhi hapat e parë drejt shkrirjes në një parti të vetme politike, duke formuar një kryesi me 23 anëtarë në një takim në Strugë. Nismës i mungon Arben Taravari, i cili tashmë konsiderohet jashtë koalicionit
Ersan PAJAZITI
Shkup, 21 prill – Së shpejti VLEN pritet të shndërrohet në një parti politike. Tanimë kanë filluar përgatitjet për shkrirjen e koalicionit në një subjekt politik. Pas paralajmërimeve të kryetarit të LD-së, njëherësh zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti se këtë javë pritet të fillojë iniciativa për themelimin e një partie politike në kuadër të VLEN, në Strugë janë mbledhur liderët e këtij koalicioni së bashku me disa funksionarë të tjerë të lartë, ku është dakorduar formimi i një kryesie të përbashkët me 23 anëtarë. “Koalicioni VLEN zhvilloi një mbledhje të përbashkët, ku u vendosën themelet e një bashkëpunimi të strukturuar politik për të ardhmen. Gjatë takimit, u mor vendimi për formimin e një Kryesie të përbashkët me 23 anëtarë – një hap i rëndësishëm drejt forcimit të unitetit dhe organizimit politik të koalicionit”, thuhet në njoftimin e koalicionit VLEN.
Nga koalicioni VLEN njoftojnë se ende nuk janë caktuar se kush do të jenë emrat e kryesisë së ngushtë të VLEN-it, ndërsa bëjnë të qartë se ky proces do të konkretizohet sipas të gjitha gjasave brenda kësaj jave, ku secila parti pjesë e VLEN-it do të delegojë propozimet e veta, pas çka do të vendoset mënyra e funksionimit të kësaj partie.
“Pasi të konstituohen Kryesia e VLEN-it, do të bisedohen edhe modalitetet, organogrami dhe mënyra e funksionimit dhe afatet. Kjo pritet të bëhet brenda javës që vjen ose deri në fund të prillit”, bëjnë të ditur për gazetën KOHA nga koalicioni VLEN, duke nënkuptuar se pasi të formohet kryesia do të vendos strukturën e kësaj partie, nëse do të funksionojë me një kryetarë, nënkryetar, sekretarë partie apo do të ketë ndonjë modalitet tjetër me më shumë kryetarë.
Përndryshe kjo iniciativë vjen pas ndodhive brenda këtij koalicioni ku ASH e Arben Taravarit vendosi që në zgjedhje lokale të shkojë me lista të veçanta për këshilltarë komunal, pas çka vijoi një mbledhje e krerëve të VLEN-it në të cilën siç tha zëvendëskryeministri Izet Mexhiti është konstatuar vetpërjashtimi i Taravarit nga koalicioni. Të pyetur se a mendojnë të kërkojnë dorëheqjen e Taravarit nga koalicioni qeveritar, nga VLEN për gazetën KOHA shprehen se vendimi se kush mbetet e kush hy në qeveri është vendim i përbashkët qeveritar. “Neve na duhet diskutim i ri se a mbetet kjo qeveri në parimet e njëjta mbi të cilat është krijuar, siç është lufta kundër korrupsionit. Nëse jemi dakord për këtë, duhet ta rishqyrtojmë se i kemi të gjithë partnerët të përkushtuar në këtë standard apo ka luhatje dhe koketime me parti që standard e kanë krimin dhe korrupsionin. Janë diskutime brenda-qeveritare, epilogun e të cilave nuk duhet dhe nuk mund ta parashikojmë”, theksojnë nga VLEN.
AHMETI: TARAVARI E KUPTOI POSHTËRIMIN
Përndryshe paraprakisht nga VLEN kanë deklaruar se largimi i Taravarit nga kjo koalicion ndoshta ka ndodhur për shkak të një marrëveshjeje të fshehtë me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Nga ana tjetër Taravari ka mohuar se ka pasur një takim me Ahmetin, por se vetëm kanë pasur një bisedë telefonike, ndërsa një komunikim të tillë më pas e konfirmoi edhe Ahmeti, por nuk zbuloi detaje se për çfarë kanë biseduar. Lideri i BDI-së Ali Ahmeti në një prononcim për media, ka vlerësuar se arsyeja për ndarjen e Aleancës për Shqiptarët është se Taravari ka kuptuar që pozitat e shqiptarëve në Maqedoni janë poshtëruese.
“Me angazhimin e partive politike të VLEN në pushtetin ekzekutiv, ata bënë një devalvim dhe i poshtëruan shqiptarët në Maqedoni. I kemi thirrur vazhdimisht që t’i braktisin institucionet për të mos u bërë pjesë e poshtërimit, për të mos qenë pjesë e devalvimit të shqiptarëve. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë të gjithë, siç duket nga të gjitha raportet që më vijnë, Taravari e ka kuptuar se pozitat e shqiptarëve në Maqedoni janë poshtëruese, vetëm si shërbëtorë, dhe bëjnë atë që u thotë agai. Shpresoj që edhe të tjerët do ta kuptojnë” ka vlerësuar Ahmeti.
FETAI REAGON: UNË NUK JAM SHËRBËTOR I ASKUJT
Kjo deklaratë provokoi reagimin e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Arben Fetai, i cili e cilësoi si hipokrizi dhe pafytyrësi.
“Ali Ahmeti, unë nuk jam shërbëtor i askujt. Ruaje këtë epitet për veten, ju që me përkushtim i keni shërbyer forcave anti-shqiptare dhe e keni legjitimuar çdo krim kundër shqiptarëve” ka shkruar Fetai, duke renditur një sërë shembujsh kur BDI nuk i ka mbrojtur shqiptarët. Ai rikujtoi se Ahmeti ishte patrioti i madh që e pranoi projektin “Shkupi 2014” si projekt kombëtar dhe luanin e VMRO-së si simbol ilir, ndërsa ka vlerësuar se pikërisht Ahmeti dhe BDI janë përgjegjësit kryesorë për zbrazjen e shtetit “Shqiptarët nuk harrojnë. Shqiptarët nuk falin. Dhe nuk janë aq budallenj sa i do ti. Të gjithë e dinë: halli yt s’është shqiptaria. Halli yt është llogaria dhe ajo po të troket në derë”, ka thënë Fetai në reagimin e tij në rrjete sociale.
Ndërkohë pas këtyre ndodhive dolën lajme se një grup anëtarësh të Aleancës për Shqiptarët nga nëndega e fshatit Tuhin në Kërçovë kanë dalë publikisht kundër vendimit të kryetarit të partisë Arben Taravari dhe përfaqësuesve të ASH-së në këtë qytet, për të braktisur Koalicionin VLEN. Në një deklaratë të nënshkruar nga 15 anëtarë të nëndegës, ata distancohen nga ky vendim të cilin e cilësojnë si “të paarsyeshëm dhe të dëmshëm për shqiptarët”. “Vendimi është marrë pa konsultim të gjerë dhe dëmton interesat shqiptare në rajon”, thuhet në deklaratë. Anëtarët njoftojnë se aktivitetin e tyre politik në të ardhmen do ta zhvillojnë brenda kuadrit të Koalicionit VLEN, si pjesë e një partie të bashkuar. Deklarata është nënshkruar nga 15 anëtarë të nëndegës, mes tyre Qendrim Sadiki, Beqir Mehmedi, Sadik Aliji, Blenim Suka, Besijon Sulejmani, dhe të tjerë.
Megjithatë këtë informacion e ka përgënjeshtruar kryetari i degës së Aleancës për Shqiptarët në Kërçovë, Genc Selmani, i cili në një demant zyrtar, ka hedhur poshtë pretendimet për “braktisje të anëtarësisë” dhe ka kërkuar që vendlindja e tij, Tuhini, të mos përdoret për qëllime përçarëse. “Demantoj deklaratën e nënshkruar se kemi braktisje të anëtarësisë nga nëndega e fshatit Tuhin të Aleancës për Shqiptarët. Nuk dua t’i jap jehonë një tendence që synon përçarje dhe që rrezikon të zbehë lavdinë e vendlindjes sime të shenjtë dhe të tuhinasve që nga viti 2016 e tutje kanë qenë pjesë e lavdisë sonë politike,” deklaroi Selmani. Ai theksoi se ekziston një procesverbal zyrtar i mbledhjes së nëndegës së ASH-së në Tuhin, të mbajtur më 6 tetor 2024, i cili sipas tij dëshmon se nuk ka ndodhur asnjë braktisje apo largim nga linja zyrtare e partisë. “Po ju përcjell procesverbalin e kuvendit të nëndegës së fshatit Tuhin të datës 6.10.2024”, tha më tej Selmani, duke lënë të kuptohet se dokumentet zyrtare bien ndesh me pretendimet e ngritura.
GASHI: NUK LARGOHEM, MBETEM VLEN
Spekulime kishte edhe në aspekt të asaj se nga koalicioni VLEN do të largohet edhe kryetari i Parlamentit Afrim Gashi dhe se i njejti është në komunikim të vazhdueshlëm me kreun e integrsitëve Ali Ahmeti. Ndaj këtyre spekulimeve ka reaguar vet kryetari i parlamentit. Gashi kategorikisht mohoi një gjë të tillë, duke ritheksuar përkushtimin e tij ndaj votuesve që i kanë dhënë besimin në zgjedhjet parlamentare të 8 majit 2024. Duke komentuar rolin e tij si kryetar i Parlamentit, Gashi theksoi se angazhohet të veprojë në mënyrë të paanshme dhe të barabartë ndaj të gjitha grupeve parlamentare, në përputhje me detyrimet kushtetuese që i ngarkon funksioni i tij.
“Si deputet i Kuvendit Republikan, mbetem besnik ndaj votuesit që më ka mandatuar në zgjedhjet e 8 majit 2024. Pra, Afrim Gashi është deputet i Alternativës në kuadër të koalicionit VLEN. Natyrisht, nga detyra e Kryetarit të Parlamentit përpiqem të jem i barabartë për të gjithë deputetët dhe grupet parlamentare, sepse kështu më ngarkon përgjegjësia kushtetuese dhe funksioni që e ushtroj. Me këtë rast më duhet të sqaroj se, përkundër synimit për senzacion nga media të caktuara, konsistenca politike dhe morali politik vazhdojnë të jetë udhërrëfyes të angazhimit tim publik”, thuhet në reagimin e kryeparlamentarit Afrim Gashi. (koha.mk)