Nga Kim Mehmeti
Shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut sot është më e ndarë se kurrë më parë. Sipas publicistit Kim Mehmeti, shqiptarët jetojnë në dy botë të ndryshme: njëra, ajo “parajsiane”, është e rezervuar për elitat politike dhe të dëgjueshmit e sunduesve maqedonas, dhe tjetra, bota e popullit të zakonshëm, e përditshmja e rëndë e shumicës që ndjehet e përjashtuar dhe e tradhtuar.
Sipas Mehmetit, këto dy realitete takohen vetëm gjatë fushatave zgjedhore dhe ditën e votimeve, por asnjëherë nuk komunikojnë vërtet mes veti. Dhe pikërisht në këtë ndarje, Mehmeti sheh rolin e koalicionit VLEN, të cilin e akuzon se i ka zhveshur shqiptarët nga përfaqësimi politik autentik, duke i kthyer në vegla të emëruara nga sunduesit maqedonas.
Ai rikujton se ka kaluar më shumë se një vit që nga fillimi i “luftës kundër hajdutëve të BDI-së”, ndërsa paradoksalisht, kritikët e dikurshëm të kësaj partie tani po etiketohen si shërbëtorë të saj nga vetë VLEN-i – koalicion që sipas Mehmetit, është i përbërë nga figura të komprometuara që bashkëpunuan me LSDM-në për të ruajtur interesat e tyre personale.
Për Mehmetin, ndarja është e qartë: një klasë politike që përfiton dhe hesht përballë grabitjes së madhe të shqiptarëve nga privatizimi, dhe një popull i lodhur, që ende nuk ka gjetur guximin të ngrejë zërin e revoltës. “Ndoshta e donim popullin pa hile – por nuk patëm guxim të bëheshim zëri i tij,” përfundon ai me një reflektim të dhimbshëm.