Policia e Kosovës ka njoftuar të premten se ka arrestuar dy persona të cilët lidhen me vrasjen e një gruaje në fshatin Sinidoll të Prishtinës të mërkurën në mbrëmje.

KOHA ka mësuar se njëri nga të arrestuarit është bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli. 

Siç ka mësuar KOHA, autori që dyshohet se ka kryer vrasjen e ka pranuar në Polici veprën dhe ka thënë se është paguar nga Murseli. Murseli dhe autori i dyshuar janë bashkëfshatar mes vete.

Sipas Policisë, operacioni është duke vazhduar me bastisjen e dy lokacioneve në Gjakovë.

Rasti po hetohet si vrasje me armë zjarri. 

Fillimisht, ishte thënë se vrasja ka ndodhur pas një rasti që kishte të bënte me plaçkitje.