Procesi hyrjes së “Alta Banka” në Maqedoni është konfirmuar edhe nga guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, i cili në një intervistë për “Newsmax Balkans”, media serbe në Shkup, deklaroi se oferta po vlerësohet dhe dokumentacioni po finalizohet, ndërsa pritet pajtim nga Komisioni i Letrave me Vlerë. Ka reaguar opozita shqiptare: “Bota Serbe” po merr formë

Vedat MEMEDALIU

Shkup, 10 gusht -“Alta Banka”, banka e oligarkut kontrovers serbe Davor Macura, është një hap më afër hyrjes në sistemin bankar vendas dhe zgjerimit në Maqedoni. Sipas lajmeve zyrtare, “Alta Banka” tashmë ka ofruar ofertat për aksione të “Stopanska Banka AD Bitola”, ndërsa ky proces – sipas zyrtarëve serb, është një procedurë blerjeje në përputhje me Ligjin për Bankat dhe të gjitha rregulloret përkatëse të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut. Procesi hyrjes së “Alta Banka” në Maqedoni është konfirmuar edhe nga guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, i cili në një intervistë për “Newsmax Balkans”, media serbe në Shkup, deklaroi se oferta po vlerësohet dhe dokumentacioni po finalizohet, ndërsa pritet pajtim nga Komisioni i Letrave me Vlerë.

I gjithë dokumentacioni i nevojshëm për blerjen e “Stopanska Banka AD Bitola” me pronar Orce Kamçev, biznesmenin kontrovers maqedonas që tashmë është në Listën e Zezë amerikane, është përgatitur dhe dorëzuar tek autoritetet kompetente dhe aktualisht është në pritje të miratimit formal nga Banka Popullore. Pas marrjes së mendimit pozitiv dhe miratimit zyrtar, do të kryhet procedura e plotë e marrjes në pronësi, e cila përfshin regjistrimin ligjor të ndryshimeve në Regjistrin Qendror dhe futjen e statusit të ri të pronësisë.

Por kush është oligarku serb Davor Macura? Macura arriti të zgjerojë bizneset nën qeverisjen e Aleksandar Vuçiqit me Serbinë. Mediat serbe shkruajnë se Macura fillimisht kishte blerë aksione të Postës Shtetërore serbe, që më pas ta shndërrojë të njëjtën në bankë që me ndihmën e partisë së Vuçiçit, u zgjerua shpejtë dhe ndërroi emrin në “Alta Banka”. Opozita serbe në disa raste e ka akuzuar Macurën dhe “Alta Bankën” se bën shpëlarjen e parave të korrupsionit të Qeverisë dhe Vuçiqit. Skandalet me këtë bankë kishin bërë që, Banka Qendrore Evropiane, Qeveria e Austrisë, si dhe disa shtete evropiane të bllokojnë aktivitetet e “Alta Banka” në Evropë, ndërsa të njëjtën e kanë futur në Listën e Zezë të transaksioneve bankare.

“Alta Banka” veç menaxhimit të parave korruptive të Vuçiqit dhe Qeverisë serbe, ajo është e lidhur ngushtë edhe me aktivitetet e kriminelëve që tashmë kërkohen si nga Evropa, ashtu edhe nga SHBA-të. Millan Radojçiq, terroristi serb që sulmoi Kosovën në Banjskë, njihet si miku i ngushtë i Davor Macurës. Mediat serbe kanë raportuar se Macura, për shkak ndihmës së Radojçiqit në zgjerimin e bankës, i ka nderuar atij vila dhe biznese tjera në Beograd dhe qytetet tjera serbe. Përveç me Radojçiqin, Macura është i lidhur ngushtë edhe me Zvonko Veselenoviq, lideri i Listës Serbe në Kosovë, i konsideruar si pjesë kriminele e pushtetit të Beogradit zyrtar.

“Alta Banka” hyn në tregun e Maqedonisë pas investimeve shtesë prej 50 milionë euro të “Telekom Srbia” dhe pas “Newsmax Balkans”, mediumit pro-Vuçiq dhe pro-Putin.

Drejtori i përgjithshëm i Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiç, ditë më parë tha se kompania serbe tashmë po hyn në një fazë të re zhvillimi dhe zgjerimi në Maqedoninë fqinje, ndërsa synon të bëhet operatori kryesor i telekomunikacionit në vend, ashtu siç është tashmë në Mal të Zi. “Në Maqedoninë e Veriut tregu është jashtëzakonisht konkurrues dhe në një nivel të lartë zhvillimi. Rrjeti optik dhe telefonia mobile janë të zhvilluara ndjeshëm, ndërsa ne jemi lojtarë të rinj. Do të përpiqemi që në të ardhmen e afërt të kontribuojmë për një konkurrencë edhe më të fortë”, ka thënë Luçiç për Newsmax Balkans në Shkup, një platformë televizive serbe që ka hapur zyrat e saj edhe në Maqedoni. (koha.mk)