Përderisa fushata zgjedhore ka kohë deri në fillimin zyrtarë të saj, kandidatët për Komunën e Çairit që moti kanë nisur fushatën e tyre duke takuar qytetarë, prezantuar projekte apo duke mbajtur konferenca për media për të shpalosur idetë e tyre. Kandidati për kryetar të Çairit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, vlerëson se ajo çfarë ndodh në Çair është më e madhe se një fushatë e zakonshme zgjedhore. Ai theksoi se këto zgjedhje janë historike për Çairin për shkak se po zgjohet një lëvizje e rezistencës ndaj keqmenaxhimit me Komunën e Çairit, korrupsionit dhe klientelizmit ndaj VMRO-së dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.
“Atë që po e shoh unë ditëve të fundit është motivimi më i madh për mua. Neve po na bashkëngjiten njerëz që nuk janë të asnjë partie, mësues, aktivistë, zejtarë… që vet vijnë e thonë: ‘ky është shansi historik ta çlirojmë Çairin’ dhe kjo është dëshmia më e mirë se njerëzit nuk duan vetëm një ndërrim të politikanëve, ata duan ndryshim të sistemit të funksionimit këtu në Çair. Prandaj po zgjohet një lëvizje për dinjitet, një lëvizje e rezistencës për Çair të ri dhe të pastër”, tha Osmani, duke shtuar se roli i tij është të jetë zëri i kësaj energjie apo lëvizje. Osmani pret dalje masive në zgjedhje, ndërsa tha se këtë lëvizje kundërshtarët e tij politik nuk mund ta ndalin me blerje të votave.
“Unë dëgjoj ditëve të fundit në kampin e kundërshtarit se duan të demotivojnë qytetarët, duke shpërndarë paralajmërime se zgjedhjet do të përcaktohen një ditë para zgjedhjeve me blerje masive të votave. Unë dua të them diçka qartë, më 19 tetor, populli i Çairit do të del masivisht dhe do të mposht sistemin e blerjes së vullnetit të qytetarëve, askush nuk mund ta zhvlerësoj zërin e tyre, nëse njerëzit do të dalin masivisht dhe do të shprehin vullnetin e tyre. Këto nuk janë zgjedhje të zakonshme dhe po nis një lëvizje për Çairin e ri”, theksoi Osmani.
Përndryshe, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, prezantoi konceptin e tij për një Çair më të pastër, duke premtuar formimin e një ndërmarrjeje të re komunale ‘Për një Çair të pastër’. Osmani u zotua se do bëjë punësimin e 120 higjienistëve, siç tha ai, me sistem pune të qartë dhe të kontrolluar.
