Ish deputeti i Arben Ziberi, i cili për vite me radhë ishte pjesë e strukturave të Bashkimi Demokratik për Integrim, sot po përpiqet ta justifikojë largimin e tij me vendimet e Kongresit të 20 vjetorit.
Ziberi deklaron se ka mbetur i zhgënjyer nga zhvillimet e fundit në parti, duke lënë të kuptohet se vendimet e marra kanë qenë arsyeja kryesore për kalimin e tij në radhët e Lëvizjes Demokratike të drejtuar nga Izet Mexhiti. Megjithatë, për shumëkënd mbetet e paqartë pse ky “zhgënjim” nuk u artikulua më herët, kur vetë ai ishte pjesë e proceseve vendimmarrëse.
Për vite me radhë, Ziberi ka qenë ndër eksponentët publikë të partisë së udhëhequr nga Ali Ahmeti, duke mbështetur politikisht të njëjtat struktura që sot i kritikon. Tani, ai flet për nevojën e hapësirës për “njerëz pa hipoteka”, ndonëse vetë ka qenë pjesë e skenës politike për një kohë të gjatë.
Kalimi i tij në LD po shihet si një lëvizje për ripozicionim politik, më shumë sesa si akt parimor. Ndërsa ai thotë se nuk synon drejtimin e degës në Saraj, mbetet për t’u parë nëse ky hap është bindje personale apo përpjekje për të ruajtur relevancën në skenën politike.
