Deputeti Blerim Bexheti ka reaguar publikisht pas vendimit të Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, i cili ka ndalur procedurën e hapur ndaj tij dhe ka konstatuar se nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore.

Në një postim në Facebook, Bexheti rikujton se më 5 janar 2026 ishte akuzuar publikisht për një “skandal” që lidhej me regjistrimin e një kompanie nga dy fëmijët e tij, të cilët, sipas tij, janë të rritur dhe e kanë kryer procedurën në mënyrë të ligjshme dhe transparente. Ai thekson se ndaj tij ishte ngritur një narrativë fajësuese pa verifikim minimal të fakteve dhe pa interpretim korrekt të ligjit.

Sipas Bexhetit, më 18 shkurt 2026, institucioni që kishte hapur lëndën vendosi ta mbyllë atë, duke konstatuar se nuk ekziston asnjë detyrim apo shkelje ligjore nga ana e tij. Ai bën të ditur se, pas paraqitjes së provave, është anuluar edhe urdhri i pagesës i nxjerrë më herët.

Deputeti thekson se ky zhvillim nuk e sheh si fitore personale, por si një mësim publik. Ai kritikon akuzat pa bazë dhe gjykimet përmes titujve sensacionalë, duke shtuar se institucionet duhet të veprojnë mbi standarde dhe ligj, jo mbi presion mediatik. Në fund, Bexheti shprehet i gatshëm për çdo kontroll dhe sqarim, duke nënvizuar se akuzat pa fakte bien, ndërsa e vërteta del në shesh.