Një tërmet me magnitudë prej 6,1 ballëve këtë mëngjes e ka goditur ishullin grek të Kretës, njoftoi Instituti Gjeologjik Amerikan (USGS). 

Tërmeti ka ndodhur në një thellësi prej 68,9 kilometrave, me epiqendër të vendosur rreth 58 kilometra në verilindje të qytetit të vogël Elunda. 

Banorët lokalë për mediat greke deklaruan se tërmeti ka zgjatur jashtëzakonisht shumë. Megjithatë, kohëzgjatja e ndjerë e tërmeteve nuk është diçka që regjistrohet zyrtarisht nga agjencitë monitoruese, raportoi agjencia DPA. 

Sipas gazetës greke “Proto Tema”, tërmeti i fuqishëm është ndjerë edhe në Peloponez, Kiklade, madje edhe në Qipro. 
Tanasis Ganas, shef i departamentit për hulumtim në Institutin Gjeodinamik të Athinës, tha se nuk pritet të ketë pothuajse asnjë pasgoditje. 

Si masë paraprake, autoriteti grek për menaxhimin e katastrofave lëshoi një paralajmërim për cunami, duke dërguar SMS mesazhe te njerëzit në rajonin e prekur. Megjithatë, nuk është regjistruar asnjë cunami.

Dridhja vjen vetëm disa ditë pas një sërë tërmetesh më të vogla që goditën pjesën veriore të Evias, ishulli i dytë më i madh në Greqi.