Pakistani dhe Kina po shënojnë dhjetëvjetorin e krijimit të Korridorit Ekonomik mes të dy vendeve, pjesë qendrore e Nismës një Brez një Rrugë, të Pekinit. Projekti investues tashmë ka kapur shifrën 60 miliardë dollarëve dhe ka pajisur Pakistanin me infrastrukturë qenësore, por po ashtu ka rënduar borxhin shumë të madh të vendit.

Ceremoni të veçanta, një monedhë rasti dhe pullë postare, pritje me nderimet më të larta me rastin e vizitës së zëvendës-kryeministrit kinez, janë disa nga mënyrat se si dy shtetet po festojnë një dekadë të Korridorit Ekonomik ndërmjet Kinës dhe Pakistanit, pjesë e të ashtuquajturës Nisma një Brez një Rrugë.

“Mendoj se ishte një vendim shumë i rëndësishëm. Dhe ishte rezultat i vizionit, përkushtimit dhe miqësisë,” thotë Kryeministri i Pakistanit, zoti Shehbaz Sharif.

“Është shembull i besimit të përbashkët dhe zhvillimit të ndërsjellë,” thotë zoti He Lifeng, zëvendëskryeministër i Kinës.

Qeveritë e dy vendeve thonë se Kina deri më tani ka investuar rreth 25 miliardë dollarë në projektin e filluar në vitin 2013 për të rigjallëruar ekonominë e Pakistanit dhe për të krijuar një treg të ri për bizneset kineze.