Pothuajse të gjitha fluturimet në Belgjikë do të anulohen të hënën, më 23 nëntor, për shkak të grevës kombëtare të cilës po i bashkohen edhe kontrollorët e trafikut ajror.
Greva është e drejtuar kundër masave shtrënguese të qeverisë së kryeministrit Bart De Wever, e cila po përpiqet të ulë deficitin buxhetor, përcjell INA.
Kompania belge e kontrollit të trafikut ajror, Skeyes, njoftoi të shtunën se të hënën nga ora 07:00 deri në 21:00 nuk do të mund të sigurojë shërbime të rregullta të kontrollit të fluturimeve. Kjo vlen për aeroportet belge dhe hapësirën ajrore për të cilën është përgjegjëse kjo kompani.
Kontrollorët e trafikut ajror i bashkohen grevës
Skeyes shpjegoi se për shkak të grevës nuk do të ketë punonjës të mjaftueshëm për zhvillimin e sigurt të trafikut të zakonshëm ajror. Prandaj, gjatë periudhës së paralajmëruar do t’i pezullojë përkohësisht shërbimet e rregullta të kontrollit të fluturimeve.
Megjithatë, kompania do të vazhdojë të ofrojë shërbime minimale të domosdoshme për rastet emergjente dhe fluturimet e rëndësishme për sigurinë. Kjo do të thotë se pezullimi i plotë nuk do të përfshijë të gjitha llojet e trafikut ajror.
Në Bruksel anulohet shumica e fluturimeve
Aeroporti i Brukselit, më i madhi në Belgjikë, njoftoi se për shkak të grevës do të detyrohet të anulojë shumicën e fluturimeve në ardhje dhe në nisje. Priten çrregullime të mëdha në trafik, ndërsa pasojat do t’i ndiejnë edhe udhëtarët që bëjnë ndërrime (tranzit) përmes Brukselit për në fluturime të tjera.
Një situatë edhe më e rëndë pritet në aeroportin Charleroi, një nyje e rëndësishme evropiane e kompanisë ajrore me kosto të ulët Ryanair. Drejtoria e këtij aeroporti paralajmëroi se të hënën gjatë gjithë ditës do ta pezullojë plotësisht trafikun ajror.
“Pasojat do të jenë katastrofike”
“Pa kontrollin e trafikut ajror asnjë aeroplan nuk mund të ngrihet dhe as të ulet”, porositën nga aeroporti Charleroi, duke kritikuar njoftimin e vonuar të kontrollorëve të trafikut ajror për t’iu bashkuar grevës kombëtare.
