Asociacioni i bastoreve sportive të Maqedonisë (ABSM) kërkon që të anulohet vendimi i qeverisë për fillimin e procedurës për themelimin e tri shoqatave të reja për organizimin e lojërave të fatit përmes internetit.

Kryetari i ABSM-së, Vasko Ilievski sot në një deklaratë për media para Qeverisë tha se asnjë anëtar i ABSM-së nuk do të marrë pjesë në tenderin, i cili është i paligjshëm dhe diskriminues për kompanitë vendore.

“Në njoftimin e Lotarisë shtetërore të Maqedonisë, bëhet e ditur se dokumentacioni i tenderit pas thirrjes publike për përzgjedhjen e personave juridikë për ndarje të kontratës për organizimin e lojërave të fatit onlajn është dorëzuar nga dhjetë kompani, gjysma prej të cilave kompani për organizimin e lojërave të fatit me seli në Republikën e Maqedonisë. Të gjithë këtë e paraqitën si zbatim të një procedure transparente dhe të mbështetur ligjërisht, e cila në fakt paraqet një manipulim klasik. Jemi këtu për të sqaruar se dokumentacioni i tenderit është marrë nga kompani vendase për të kontrolluar përmbajtjen e tij. Tërheqja i dokumentacionit të tenderit vërtetoi bindjet tona se është një thirrje publike e vendosur për kompani të huaja të paracaktuara”, tha Ilievski.

Ata kërkojnë nga ABSM që të miratohen akte nënligjore në mënyrë që kompanitë vendase të organizojnë lojëra fati në internet dhe në këtë mënyrë të liberalizojnë realisht tregun dhe të përfshijnë të gjithë palët e interesuara në krijimin e vendimeve që lidhen me aktivitetin.