Të gjithë banorët e Gërçecit janë regjistruar: disa nën Shishovë, disa nën Gllumovë, dhe shumica nën Saraj. Kështu ka qenë edhe në regjistrimin e vitit 2002. Kështu Arbër Ademi, nënkryetari i BDI-së, i është përgjigjur akuzave të VLEN-it se Gërçeci ka mbetur pa u regjistruar, ndërkohë që thotë se regjistrimi i popullsisë bëhet sipas komunës kadastrale që në rastin e fshatit Gërçec, i takon Komunës kadastrale Saraj.

Reagimi i plotë i Arbër Ademit:

– CILA ËSHTË E VËRTETA RRETH REGJISTRIMIT NË GËRÇEC

Regjistrimi i popullsisë bëhet sipas komunës kadastrale (katastarska opština). Në këtë rast, fshati Gërçec i takon Komunës kadastrale Saraj.

Shumica e banorëve të Gërçecit, në letërnjoftime, u figuron adresa pa numër (b.b.), sepse fshati ende nuk e ka të sistemuar përfundimisht statusin e vet në kuadër të komunës kadastrale. Kjo është çështje administrative që duhet të rregullohet nga institucionet përkatëse.

Megjithatë, të gjithë banorët e Gërçecit janë regjistruar: disa nën Shishovë, disa nën Gllumovë, dhe shumica nën Saraj.

– Kështu ka qenë edhe në regjistrimin e vitit 2002.

E njëjta situatë është evidentuar edhe në fshatin Leshkë të Tetovës, ku banorët janë regjistruar në Tearcë ose Neproshten, në varësi të komunës kadastrale.

– Pra, njerëzit janë këtu dhe të gjithë janë të regjistruar, një për një. Nuk ka asnjë banor të “zhdukur”.

– Mjerimi fillon kur regjistrimi dhe statistikat përdoren për kalkulime politike, duke shpikur probleme aty ku nuk ka.