Në një reagim të postuar në rrjetet sociale, Agim Islami ka bërë një thirrje të fuqishme për politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke i kërkuar që të ndalin përplasjet politike dhe të përqendrohen në çështje me rëndësi jetike për drejtësinë dhe të drejtat e njeriut.

Islami, shpreh shqetësimin se politikanët po shpenzojnë energji për të treguar se “kush është më shqiptar se tjetri”, në vend që të punojnë për lirimin e të burgosurve të pafajshëm, me theks të veçantë për rastin e njohur “Alfa”, i cili prej vitesh konsiderohet si një nga padrejtësitë më të mëdha gjyqësore në vend.

“Populli dëshiron rezultate, jo fjalë boshe dhe kritika ndaj opozitës dhe anasjelltas,” shkruan autori, duke i bërë apel klasës politike që të ndalë luftën e brendshme dhe të fokusohet në zgjidhjen e problemeve reale.

Ai jep edhe një krahasim simbolik dhe tronditës: “Nëse doni ta kuptoni përafërsisht si është të qëndrosh me vite i pafajshëm në burg, bëni një provë: futuni në dhomën tuaj dhe qëndroni aty për 24 orë të mbyllur – jo më shumë!”

Reagimi përfundon me një kujtesë të fuqishme: “2008/2025… 17 vite padrejtësi. Liri për rastin Alfa.”

Ky mesazh është një reflektim i ndjeshmërisë së qytetarëve për çështjet e drejtësisë dhe një sinjal i qartë se shoqëria kërkon veprim konkret, jo vetëm retorikë politike.