Parlamenti Evropian: Maqedonia e Veriut po përparon ngadalë drejt BE-së, korrupsioni dhe polarizimi mbeten pengesat kryesore
Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) vlerëson se Maqedonia e Veriut po shënon përparim të pamjaftueshëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për shkak të korrupsionit, dobësive në sistemin gjyqësor dhe polarizimit politik.
Në raportin më të fundit të miratuar më 3 qershor, eurodeputetët riafirmojnë mbështetjen për anëtarësimin e vendit në BE, por theksojnë se avancimi i negociatave varet drejtpërdrejt nga zbatimi i reformave të thella dhe thelbësore.
AFET shpreh keqardhje për progresin e kufizuar që nga raporti i kaluar dhe u bën thirrje forcave politike të tregojnë vullnet më të madh për bashkëpunim, veçanërisht për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat mbeten kusht për hapjen e klasterit të parë të negociatave.
Raporti vëren se institucionet demokratike funksionojnë, por polarizimi politik vazhdon të pengojë reformat kyçe dhe emërimet institucionale. Gjithashtu, eurodeputetët kërkojnë nga partitë politike të heqin dorë nga retorika përçarëse dhe të angazhohen më konstruktivisht në procesin e integrimit evropian.
Shqetësim i veçantë shprehet për mungesën e progresit në pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas raportit, korrupsioni mbetet i përhapur, ndërsa ekziston një hendek i madh mes hetimeve të hapura dhe vendimeve përfundimtare gjyqësore, sidomos në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Eurodeputetët paralajmërojnë gjithashtu për përpjekje të ndikimeve të huaja përmes dezinformatave dhe manipulimit të opinionit publik, me qëllim minimin e besimit në institucione dhe në perspektivën evropiane të vendit.
Nga ana tjetër, raporti vlerëson pozitivisht harmonizimin e Maqedonisë së Veriut me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, deklaroi se raporti vjen në një moment kyç për procesin e zgjerimit të BE-së.
“Qeveria duhet të vazhdojë kursin reformues dhe përpjekjet për integrim. E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian”, tha Waitz.
Raporti u miratua me 43 vota pro, 17 kundër dhe 13 abstenime, ndërsa hapi i radhës është votimi në seancë plenare të Parlamentit Evropian.
Ky raport vjen vetëm pak ditë pas vizitës së presidentit të Këshilli Evropian, António Costa, i cili theksoi se përparimi i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së varet nga përmbushja e detyrimeve të dakorduara, përfshirë ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
