Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, edhe një herë drejtoi vëmendjen ndaj problemit të ndërtimeve të paligjshme në komunën e Çairit. Në një video-adresim nga terreni, ajo tregoi disa ndërtesa të paligjshme dhe kritikoi qeverinë lokale dhe institucionet përkatëse për, siç tha ajo, “tolerimin e kaosit urban”

“Në Çair po zhvillohen ndërtime në kundërshtim me ligjin, dhe institucionet heshtin. Ky nuk është vetëm një problem i planifikimit urban, por edhe një çështje sigurie dhe sundimi të ligjit”, tha Arsovska.

Ajo theksoi se Qyteti i Shkupit nuk ka juridiksion për të vepruar kundër ndërtimeve të paligjshme, sepse me ligj nuk ka inspektoratin e vet të ndërtimit. Sipas saj, juridiksioni është i inspektorëve komunalë dhe Inspektoratit Shtetëror të Ndërtimit, si dhe Ministrisë së Brendshme në rastet e veprave penale.

“Qyteti i Shkupit është e vetmja njësi e vetëqeverisjes lokale që nuk ka inspektor ndërtimi me ligj”, shkroi Arsovska në profilin e saj në Facebook.

Në fjalën e saj, ajo i bëri thirrje drejtpërdrejt kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, të shpjegonte se si lejon ndërtimet e paligjshme në komunën e tij. Ajo i kërkoi gjithashtu Ministrisë së Brendshme të reagonte në terren, duke akuzuar policinë se refuzonte të inspektonte vendet e kontestuara të ndërtimit.

“Ju falënderoj për mundësinë, z. Mickoski, që të veproj në mënyrë edukative ndaj jush në këtë rast dhe ju bëj thirrje, tani që i dini përgjegjësitë dhe autoritetet tuaja, të veproni menjëherë!” i tha ajo kryeministrit. (Portalb.mk)