Kryeministri shqiptar Edi Rama, pa një përgjigje të prerë nëse nisma e Ballkanit të Hapur tanimë ka përfunduar. Ndryshe nga Rama, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se Ballkani i Hapur është ende gjallë dhe nisma do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse. Ndërkaq, disa nga njohësit e proceseve politike thonë se “Ballkani i Hapur” përbën dështim të plotë
Xhenur ISENI
Shkup, 7 korrik – Kryeministri shqiptar Edi Rama, pa një përgjigje të prerë nëse nisma e Ballkanit të Hapur tanimë ka përfunduar. Rama tha në Shkup se kjo nismë ka dhënë rezultate të mira, por që tani e tutje fokusi duhet të jetë në procesin e Berlinit. “Duhet të hyjmë me mendje dhe me zemër në procesin e Berlinit, ta kthejmë në një proces funksional, ashtu siç tregoi Ballkani i Hapur se mund të jemi funksional kur jemi bashkë. Procesi i Berlinit nuk u ngec nga ata që krijuan Ballkanin e Hapur, të jemi shumë të qartë, por me premtim, jo, nuk e dua këtë, nuk po vij atje, nuk po ju firmos, jo, do të shihemi nesër. Prandaj ngeci”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Ndërkaq, ndryshe nga Rama, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se Ballkani i Hapur është ende gjallë dhe nisma do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse. Kovaçevski madje paralajmëroi vazhdimin e takimeve në kuadër të Ballkanit të Hapur. Ai tha se do të takohet me kryeministren serbe Brnabiq javën e ardhshme. “Open Balkan”, ose i njohur fillimisht si Mini-Shengen, filloi në vitin 2019 në Serbi. Nisma është nënshkruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Në fillim të këtij muaji Rama tha për mediat shqiptare se “Open Balkan” ka lindur për të çuar përpara procesin e Berlinit dhe sipas tij ky mision është kryer.
Se a pati apo nuk pati sukses “Ballkani i Hapur” duhet shikuar në dy kundvështrime: në atë të ngushtë dhe atë të gjerë. Nga këndvështrimi i ngushtë, duhet analizuar se a patën apo nuk patën ndikim real marrëveshjet e nënshkruara, thotë Rilind Dauti, analist. “Ajo që pak dihet është se ‘Ballkani i Hapur’ nuk është një dokument i vetëm por janë disa marrëveshje. Për shembull, njëra marrëveshje është për lëvizjen e lirë të punëtorëve. Që të konstatojmë se a pati sukses, duhet zbuluar nëse pati rritje të numrit të punëtorëve nga një shtet që punojnë te dy shtetet tjera, ashtu që për këtë rritje, meritën t’ia atribuojmë ‘Ballkanit të Hapur’. Një marrëveshje tjetër është ajo për njohje të ndërsjellë të certifikatave të veterinarisë në kontekst të sigurisë ushqimore që do të çonte në tregtinë e lirë të kafshëve të gjalla dhe prodhimeve blegtorale. Por përderisa në supermarketet e Maqedonisë së Veriut ‘vlon’ nga pakot e qumështit dhe prodhimet tjera me prejardhje shtazore nga Serbia, nga Republika e Shqipërisë nuk ka asgjë nga bulmeti dhe mishrat!”, shprehet Dauti. Ndërkaq, nga këndvështrimi i gjerë, sipas tij, “Ballkani i Hapur” përbën dështim të plotë. “Ai krijoi çarje. Nga 6 partnerë të Procesit të Berlinit, “Ballkanin e Hapur” e përqafuan vetëm gjysma. Krijoi çarje edhe brendashqiptare, ku Republika e Kosovës refuzoi të marrë pjesë dhe kjo çoi në këmbim të fjalëve të ashpra në mes dy anëve të kufirit. “Ballkani i Hapur” nuk e realizoi as idenë fillestare që ishte ide fantastike: “Mini-Shengenin” si heqje e kontrolleve kufitare në mes shteteve. U nënshkruan marrëveshje për gjithçka, përveç se për heqjen e kontrilleve kufitare që do t’a bënte ndryshimin më të mirë për tregtinë dhe do t’a sillte lehtësimin më të madh për qytetarët”, ka deklaruar për KOHA, Rilind Dauti, analist.
Nga ana tjetër, disa nga njohësit tjerë të proceseve politike në vend thonë se Ballkani i Hapur duhet parë si një vazhdimësi, jo si një projekt me një qëllim përfundimtar. “Fatkeqësisht, kjo nismë nuk ka mbështetjen që ka Procesi i Berlinit, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të zhvillohet siç ka qenë deri më tani. Publiku është i prirur ndaj kritikave dhe mezi pret dështimin e një nisme rajonale, por duhet të jetë i vetëdijshëm se një dështim i mundshëm i Open Balkans është një humbje për të gjithë ne, jo për vetë projektin. Nisur nga kapacitetet e vendeve të Ballkanit për zhvillimin e një platforme të tillë, suksesi është arritur me vetë idenë e Ballkanit të Hapur”, ka deklaruar për KOHA, Ivo Rangelloviq, analist.
Përfundimin e Ballkanit të Hapur, Rama e kishte paralajmëruar që më 23 qershor, kur në një konferencë për media, deklaroi “ngrirje” të marrëdhënieve me Serbinë, për shkak të arrestimit të tre policëve të Kosovës. Rama tha se nuk do të takohej dhe nuk do të fliste me presidentin e Serbisë, Vuçiq, për asgjë tjetër, veçse për këtë çështje, që i tensionoi më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Policët ndërkohë u liruan më 26 qershor. Gjatë takimeve në kuadër të Ballkanit të Hapur, u nënshkruan disa marrëveshje, mes tri vendeve pjesëmarrëse – Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për pushtetin në Shqipëri, arritjet ishin të mëdha, ndërsa për opozitën nisma nuk arriti asgjë më shumë se sa t’i jepte Serbisë një rol dominues në Ballkan, dhe rikuperoi imazhin e Vuçiqit dhe të Serbisë në arenën ndërkombëtare. /koha.mk