Ura e improvizuar mbi lumin Vardar e cila është edhe e rrezikshme për kalim, është e vetmja rrugë që lidh banorët e fshatit Llokë të Sarajit me vendbanimet tjera në komunën e Gjorçe Petrovit. Pavarësisht rrezikut, nëpër të kalojnë edhe fëmijët për të shkuar në shkollë. Banorëve prej vitesh u premtohet ndërtimi i një ure të re, por këto premtime kanë mbetur vetëm fjalë. Banorët shprehen të gatshëm vetë ta ndërtojnë urën nëse komuna u jep leje. Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, muaj më parë premtoi zgjidhje të problemit, por tani hesht, shkruan Portalb.mk.

Gjendja e urës në fshatin Llokë është shqetësuese për banorët. Siç rrëfejnë vetë ata, ka pasur raste kur bashkëfshatarë të tyre, duke kaluar urën, kanë rënë në lumin Vardar dhe janë lënduar rëndë.

“Rrezik për të kaluar është edhe për ne të rriturit, e lëre më për fëmijët që kalojnë nga kjo urë për të shkuar në shkollë. Po, ka pasur raste kur kanë rënë edhe në lum dhe janë lënduar”, tha një banor.

Banorët thonë se ndërtimi i një ure të re është premtuar disa herë, por institucionet deri më tani nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë. Ata shprehen të gatshëm ta ndërtojnë vetë urën, nëse u jepet leje.

“Shumë herë është premtuar se do të ndërtohet, por deri më tani nuk është bërë asgjë. Ne banorët jemi të gatshëm ta ndërtojmë edhe vetë, vetëm të na japin leje. As nuk e ndërtojnë vetë, as nuk na lejojnë ta ndërtojmë ne. Njëherë thonë se do ta ndërtojë Komuna e Sarajit, pastaj Komuna e Gjorçe Petrovit, e më pas Qyteti i Shkupit. Kështu ka mbetur”, tha banori.

Ndërtimi i një ure të re do t’ua lehtësonte banorëve të Llokës lidhjen me vendbanimet tjera të kryeqytetit. Aktualisht, banorët duhet të përshkojnë mbi 10 kilometra më shumë për të arritur në qytet.

“Po si nuk e lehtëson? Për të dalë deri në Shkup duhet të bëjmë mbi 10 kilometra më shumë, ndërsa këtu e kemi gati. Duhet vetëm të ndërtohet ura siç duhet, që të mund të kalojnë edhe veturat, dhe kështu lidhemi drejtpërdrejt me Gjorçe Petrovin”, tha një banor tjetër.

Premtime për ndërtimin e urës në Llokë ka pasur ndër vite. Ky projekt ishte pjesë edhe e programit zgjedhor të kryetarit aktual të Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazit, i cili pas marrjes së mandatit e përsëriti premtimin edhe në prill të këtij viti.

Ndërtimi i urës në Llokë ishte një nga premtimet e Muhamet Elmazit gjatë fushatës për zgjedhjet lokale. Printscreen nga programi zgjedhor i tij.
Ndërtimi i urës në Llokë ishte një nga premtimet e Muhamet Elmazit gjatë fushatës për zgjedhjet lokale. Printscreen nga programi zgjedhor i tij.

“Jo më larg se javën e kaluar, i kisha në takim banorët e vendbanimit Llokë, ku u prezantova se në Planin Gjeneral Urbanistik të Qytetit të Shkupit është paraparë ura e Llokës dhe se jemi në evaluim të tenderimit për projektim. Një nga projektet e para që do të projektohen është pikërisht ura e Llokës. Pastaj, në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit dhe Komunën e Gjorçe Petrovit, besoj se do të kemi zgjidhje për realizimin e kësaj ure. Brenda këtij viti përfundon procedura e projektimit”, deklaroi Elmazi në prill për TV Shenja.

Portalb.mk e pyeti Elmazin nëse ka përfunduar procedura e projektimit dhe kur pritet të fillojë ndërtimi i urës, por ai nuk u përgjigj.

Për këtë çështje, kërkuam përgjigje edhe nga Komuna e Gjorçe Petrovit dhe Qyteti i Shkupit, për të pyetur nëse janë në koordinim me Komunën e Sarajit për realizimin e këtij projektit. Megjithatë, as këto dy institucione nuk iu përgjigjën pyetjeve të Portalb.mk.

Pavarësisht premtimeve ndër vite, problemi mbetet i pazgjidhur. Deri në ndërtimin e një objekti të sigurt mbi lumin Vardar, ura që rrezikon jetën e banorëve të Llokës, vazhdon të mbetet e vetmja lidhje me pjesët tjera të Shkupit.