Sot, në selinë qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim në Shkup, u mblodhën bashkëluftëtarët e lavdishëm të lirisë nga Kumanova, së bashku me gjeneratën e re, për të rikujtuar rrënjët e sakrificës dhe rezistencës shqiptare.
Në këtë tubim, Sefedin Rexhepi nga Kumanova, kryeshef i batalionit të brigadës 113 për logjistikë, theksoi se rikthimi te gjeneza e lirisë, te BDI-ja dhe te misioni i liderit Ali Ahmeti, është akt i domosdoshëm për mbrojtjen e integritetit kombëtar dhe për forcimin e themeleve të ardhmërisë.
Prania e të rinjve në këtë aktivitet u vlerësua si dëshmia më e fortë se ideali i kombit nuk shuhet, nuk blihet e as nuk shitet – përkundrazi, ai mbetet frymëzim dhe obligim për brezat që vijnë.
Pas mbledhjes në seli, takimi vazhdoi në konakun e Abedin Zharkut – Bablokut, ku u vulos besa dhe respekti që lidh brez pas brezi.
Ky ishte edhe një mesazh i qartë politik: sakrifica e djeshme është garanci e së ardhmes. Për këtë arsye, bashkëluftëtarët deklaruan se janë larguar nga mashtrimet e VLEN-it dhe politika e zbrazët e interesave të ngushta, duke u rikthyer aty ku gjaku i dëshmorëve nuk përdhoset dhe ku ideali kombëtar qëndron mbi çdo interes personal.
Uniteti rreth BDI-së, sipas tyre, është garancia më e fortë se sakrifica e bërë nuk do të tjetërsohet, por do të mbetet themel i fuqishëm i së ardhmes së përbashkët.
