Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të fundit që, sipas tyre, i drejtohen ish-Ministrit të Jashtëm Bujar Osmani, duke akuzuar qeverinë aktuale si një “instrument i botës serbe” dhe duke e cilësuar fushatën kundër Osmanit si përpjekje për të errësuar sukseset historike të diplomacisë së vendit.

“Qeveria që u shpall nga 461 eurodeputetë si një instrument i botës serbe, sot po përpiqet të hedhë hije mbi punën e Ministrit më të suksesshëm të Jashtëm që ka pasur Maqedonia e Veriut”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Në deklaratën zyrtare, BDI rendit një sërë arritjesh të rëndësishme që sipas saj u realizuan gjatë mandatit të Bujar Osmanit si Ministër i Punëve të Jashtme:

Anëtarësimi në NATO; Fillimi i negociatave për anëtarësim në BE; Kryesimi i OSBE-së në një vit sfidues për organizatën; Hapja e Dialogut Strategjik me SHBA-të; Harmonizimi 100% me politikën e jashtme të BE-së; Themelimi i iniciativës “QUAD” me Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi; Dëbimi i 20 diplomatëve rusë pas agresionit rus; Qëndrim i qartë pro-Ukrainës; Bashkë-sponsorizimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në OKB.

Sipas BDI-së, këto arritje janë vlerësuar edhe nga raporti më i fundit i Parlamentit Evropian, i cili e cilëson Ministrinë e Jashtme si “i vetmi segment pozitiv” në raportin vjetor për Maqedoninë e Veriut.

“Sulmet që vijnë nga një qeveri që i shërben botës serbe nuk e zbehin punën e Bujar Osmanit, përkundrazi janë kompliment dhe dëshmi e drejtësisë së rrugës së tij”, përfundon reagimi i BDI-së.