Bekim Berisha, anëtar dhe aktivist i njohur, ka reaguar publikisht në lidhje me paralajmërimet për një regjistrim elektronik të popullsisë, duke shprehur shqetësimet e tij mbi saktësinë dhe drejtësinë e një procesi të tillë. Me përvojë 16-vjeçare në Entin Shtetëror të Statistikave dhe pjesëmarrës në dy regjistrime të mëparshme, atë të vitit 2011 dhe 2021, Berisha ngre një sërë pyetjesh legjitime që prekin drejtpërdrejt çështjen e përkatësisë etnike, gjuhësore dhe fetare të qytetarëve.
“Nëse regjistrimi do të bëhet elektronikisht, si do të përcaktohet përkatësia etnike apo fetare? A do të varet nga emrat, mbiemrat apo ndonjë kriter tjetër i paqartë?”, pyet ai, duke sjellë shembuj konkretë si emrat Sara, Isa, Denis apo Aron – emra që përdoren nga komunitete të ndryshme etnike.
Berisha gjithashtu ngrit dilema për mijëra shqiptarë që kanë mbiemra që përfundojnë me “ski” apo “ov”, të cilët rrezikojnë të kategorizohen gabimisht në regjistrim, nëse procesi nuk garanton vetëdeklarimin dhe verifikimin korrekt të të dhënave.
Ai akuzon drejtëpërdrejt strukturën aktuale udhëheqëse të Entit dhe partinë VMRO-DPMNE për tentativën që, përmes një regjistrimi të tillë, të manipulojnë përqindjet e popullsisë shqiptare në vend.
“Për mua është e qartë: qëllimi i regjistrimit elektronik është që të ulet përqindja e shqiptarëve, sepse 29.52% u duket shumë!”, përfundon Berisha në reagimin e tij.
Ky reagim vjen në një kohë kur shqetësimet për transparencën dhe objektivitetin e institucioneve shtetërore janë rritur ndjeshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme si përfaqësimi etnik dhe përbërja demografike e vendit.
