Në një reagim të drejtpërdrejtë, koordinatori i grupit parlamentar të Frontit Europian, deputeti Blerim Bexheti, ka ngritur alarmin për një sërë zhvillimesh të rrezikshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut me heshtjen apo përkrahjen e hapur të koalicionit VLEN.
“A ka një kufi vazaliteti i VLEN, apo është i pafund?” – pyet Bexheti, teksa analizon tri çështje kyçe: Ligjin për “Përfaqësim të Drejtë”, skandalin me regjistrimin e popullsisë dhe heshtjen përballë konceptit të “Botës Serbe”.
1. Ligji për “Përfaqësim të Drejtë” – një farsë për sy e faqe
Deputeti Bexheti e cilëson ligjin e propozuar si një mekanizëm pa dhëmbë: një trup koordinues që as nuk ka kompetenca reale dhe as nuk sanksionon shkeljet. “As vetë ministri Minçev nuk ka më alibi: e pranoi qartë që ky ligj nuk zgjidh asgjë,” thekson ai.
Ndërkohë, zyrtarë të VLEN-it si Izet Mexhiti sipas Bexhetit po tentojnë t’ua shesin shqiptarëve një mashtrim të madh si arritje. “Përfaqësimi i drejtë është kthyer në një dekor politik, me zero punësime dhe zero ndikim real,” shton ai.
2. Regjistrimi i Popullsisë shqiptarët “fshihen” me vendim qeverie
Sipas Bexhetit, manipulimi më i rëndë është bërë me rezultatet e regjistrimit të vitit 2021: nga 619.187 shqiptarë të regjistruar, qeveria më 24 shtator 2024 uli artificialisht numrin në 446.245, duke përjashtuar diasporën shqiptare nga çdo përfaqësim.
“Gostivari humbi tetë këshilltarë nga vendimi tinëzar i qeverisë, sepse diaspora ‘nuk i pëlqeu në llogari’. Dhe VLEN heshti!”, akuzon Bexheti.
Deputeti ngre dyshime serioze për regjistrimin elektronik që po mbështetet nga VLEN: “Na kërkojnë të besojmë te softueri i VMRO-së dhe ZNAM-it? Jo më ekipe të përziera etnike, por algoritme dhe serverë?!”
3. Thomas Waitz dhe “Bota Serbe” – VLEN hesht përballë alarmit të Evropës
Në fund, Bexheti thekson deklaratën alarmante të raportuesit të Parlamentit Evropian, Thomas Waitz, për rrezikun e konceptit “Bota Serbe” dhe rolin destabilizues të zyrtarëve të Maqedonisë së Veriut në këtë axhendë.
“Ndërkohë që Parlamenti Evropian e quan ‘rrezik’, VLEN hesht si të ishin pjesë e agjendës,” deklaron Bexheti.
Përfundim: Heshtje që paralajmëron të ardhmen
Bexheti e përmbyll me një thirrje të qartë: heshtja e VLEN nuk është vetëm një tradhti politike, por edhe një sinjal i errët për të ardhmen e shqiptarëve, nëse nuk veprojnë për të mbrojtur përfaqësimin, numrin dhe të drejtat e tyre.
