Shkup, 16 qershor 2025 – Sot në f.Gërçec u përuruan zyrtarisht 7 rrugica të reja të shtruara me bekaton, si pjesë e një projekti më të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës lokale. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë deputeti i zonës, z. Blerim Bexheti, dhe kryetari i Komunës së Sarajit, z. Iljas Veseli, të shoqëruar nga banorë të Gërçecit.

Përveç rrugicave të përfunduara, u inspektuan nga afër edhe 5 rrugë të tjera që aktualisht janë në ndërtim e sipër dhe që pritet të përfundojnë në një periudhë shumë të shkurtër kohore.

“Kur isha kryetar komune, u dhashë fjalën banorëve të Gërçecit se do të investohej seriozisht në infrastrukturë. Sot, si deputet i kësaj zone, ndihem krenar që ato premtime po kthehen në realitet,” u shpreh z. Bexheti në postimin e tij në rrjetet sociale.

Ai theksoi se këto projekte nuk janë vetëm rrugë të shtruara, por simbol i përkushtimit dhe bashkëpunimit të institucioneve me qytetarët. “Këto investime janë dëshmi se kur ka vullnet, rezultatet nuk mungojnë,” shtoi deputeti.

Banorët e Gërçecit mirëpritën investimet dhe shprehën mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të autoriteteve lokale dhe përfaqësuesit të tyre në Kuvend.