Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke akuzuar subjektin politik VLEN se po vepron kundër fjalës së lirë, mendimit ndryshe dhe vetë demokracisë.
“Kur je në pushtet pa legjitimitetin e popullit, kur nuk përfaqëson askënd tjetër përveç vetes dhe rrethit të ngushtë familjar, çdo fjalë e lirë dhe çdo kritikë të duket kërcënim”, shkruan Bexheti, duke shtuar se sulmet ndaj kritikëve janë dëshmi e frikës së pushtetit nga ajo që po afrohet.
Ai theksoi se goditjet ndaj fjalës së lirë dhe deri tek prona e atyre që shprehin mendim ndryshe tregojnë mungesë demokracie dhe pasiguri të thellë. “Këta struktura vazale e dinë se Tetori nuk do të sjellë më heshtje, por votën e shqiptarëve. Dhe vota nuk pyet për padronë, as për shërbëtorë e vazalët vota është dënimi i popullit mbi arrogancën”, theksoi deputeti.
Në fund, Bexheti akuzon VLEN-in se po e sheh fjalën e lirë si armik dhe mendimin ndryshe si krim, duke nënvizuar se kur mungon legjitimiteti, e vërteta e thënë hapur bëhet më e padurueshme se çdo gjë tjetër.
