Kanë kaluar gati pesë muaj nga premtimi i kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, për ndërtimin e bibliotekës në Sheshin “Skënderbeu”. Megjithatë, në terren nuk vërehen punime apo hapa konkretë drejt realizimit të projektit, ndërsa komuna nuk tregon se ku kanë ngelur proceddurat, shkruan Portalb.mk.

Të rinjtë, studentët dhe banorët e Çairit, janë në pritje të bibliotekës së re.

“Premtime gjithmonë po ka nga të gjitha anët, por realizimet po janë largë dhe punimet gjithmonë po zvarriten”, tha një student nga Shkupi për Portalb.mk.

Një i ri tjetër nga Çairi tha se biblioteka me kapital më të madh të librave në gjuhën shqipe në Komunën e Çairit, “do t’i ndihmonte të kenë qasje më të lehtë deri te librat, por edhe një hapësirë e përbashkët rinore ku mund të studiojnë dhe mësojnë”.

Portalb.mk dërgoi pyetje edhe deri te Komuna e Çairit se ku ka mbetur ky projekt dhe cila do të jetë dinamika e realizimit, роr deri në publikimin e këtij shkrimi nga atje nuk janë përgjigjur. 

Çfarë premtoi kreu i Çairit, Izet Mexhiti ?

“Po ndërtojmë Bibliotekën Shqipe. Po nisim procedurën për transformimin e hapësirës mbi Sheshin ‘Skënderbeu’ në një bibliotekë moderne, të hapur për nxënësit, studentët dhe të gjithë qytetarët. Kjo do të jetë një shtëpi e dijes dhe kulturës në zemër të Çairit”, u shpreh Mexhiti në fillim të qershorit.

Ai njoftoi se projekti do të “pasurojë jetën kulturore në Komunën e Çairit dhe do të mundësojë qasje më të lehtë në literaturë në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të tjera, për të gjitha brezat”.

Mexhiti nuk shpjegoi se cili do të jetë statusi administrativ i bibliotekës shqipe mbi sheshin Skënderbeu.

Ndryshe, kupolat gjysmësferike (tendat) në Sheshin Skënderbeu në Shkup janë pjesë e projektit origjinal të sheshit. Ndërtimi i sheshit filloi në vitin 2012, ndërsa projekti u përmbyll dhe u inaugurua zyrtarisht në fund të shtatorit të vitit 2017. Kupolat u vunë në funksion si e vetmja pjesë e mbuluar e sheshit, duke ofruar mbrojtje nga shiu dhe temperaturat e larta.

Megjithatë, me kalimin e viteve ato u dëmtuan për shkak të mungesës së mirëmbajtjes. Në vitin 2023, Portalb.mk raportoi se kupolat ishin në gjendje të keqe, disa prej tyre ishin shndërruar në strehë për persona të pastrehë, ndërsa Komuna e Çairit premtoi se do t’i zëvendësonte me të reja.