Screenshot

Një 46-vjeçar nga Negotina e Gostivarit ka ndërruar jetë pasi ka rënë nga çatia e një shtalle, të cilën ishte duke e riparuar. Ai fillimisht ishte dërguar në Qendrën Mjekësore të Gostivarit me lëndime të rënda trupore, ndërsa për shkak të gjendjes ishte transferuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza” në Shkup, ku mëngjesin e 14 nëntorit ka ndërruar jetë.

“Më 13.11.2026, në ora 11:40, në SPB Tetovë, nga Qendra Mjekësore e Gostivarit është raportuar se te ata me lëndime të rënda trupore është sjellë G.S. (46) nga Negotina e Gostivarit, i cili për shkak të seriozitetit të lëndimeve është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup. Sipas raportimit, ai është lënduar gjatë rënies nga çatia e një shtalle në atarin e f. Negotinë, të cilën ka qenë duke e riparuar. Mëngjesin e sotëm (14.11.2026) në ora 08:30 në SPB Tetovë është raportuar se G.S. u ka nënshtruar lëndimeve dhe ka ndërruar jetë në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e Sektorit të Punëve të Brendshme Tetovë, përcjell TV21.