Deputeti i Aleancës Kombëtare për Integrim, z. Blerim Bexheti, ka reaguar pas dështimit të tentativës për ndryshimin e Kodit Zgjedhor në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, ky proces ishte zhvilluar pa konsultim me OSBE-ODIHR dhe pa përfshirjen e deputetëve të Aleancës në një diskutim të hapur dhe gjithëpërfshirës.

“Ndryshimet e propozuara nuk kaluan falë shumicës së dyfishtë – Badenterit. Kjo është një fitore për parimet demokratike dhe për respektimin e zërit të qytetarëve tanë. Ligjet që prekin të ardhmen e vendit dhe proceset zgjedhore duhet të hartohen me transparencë, konsensus dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare,” u shpreh Bexheti.

Ai akuzoi partitë e koalicionit VLEN se mbajnë pushtet të pajustifikuar në një “qeveri antishqiptare” dhe se përpjekjet e tyre nuk do të mund të cenojnë të drejtat dhe përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve.

“Ne do të mbetemi të vendosur që çdo ndryshim ligjor të jetë në funksion të demokracisë, barazisë dhe përfaqësimit të drejtë të të gjitha komuniteteve në vend,” përfundoi deputeti i AKI-së.