Deputeti i Frontit Europian, Blerim Bexheti, ka reaguar me tone të ashpra pas ngjarjeve të mbrëmshme në palestrën sportive të Kumanovës, ku gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, u dëgjuan thirrje të urrejtjes, raciste dhe ksenofobe ndaj shqiptarëve.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Bexheti i cilëson ngjarjet si “të turpshme” dhe shpreh shqetësimin e tij për faktin që koret me përmbajtje si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar…” dhe “Maqedoni e pastër…” u toleruan publikisht në prani të krerëve shtetërorë si kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski, si dhe ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
“Ky është tregues i qartë i një klime të rrezikshme që jo vetëm tolerohet, por edhe heshtet nga autoritetet,” shkruan Bexheti, duke kërkuar reagim të menjëhershëm institucional.
Ai gjithashtu i drejtohet koalicionit shqiptar VLEN, duke e akuzuar për bashkëfajësi nëpërmjet pjesëmarrjes në qeveri:
“I bëjmë thirrje VLEN-it që të lëshojë qeverinë menjëherë, sepse bashkëqeverisja e tyre me këtë mentalitet të rrezikshëm është legjitimim i fyerjeve, nënçmimit dhe diskriminimit të shqiptarëve!”
