Thirrjet ksenofobike që u dëgjuan gjatë ndeshjes së djeshme të basketbollit në Kumanovë janë të papranueshme dhe nuk përfaqësojnë frymën e bashkëjetesës që ne të gjithë e promovojmë. Këto provokime vijnë nga grupe të vogla, por të zhurmshme. Kështu ka reaguar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, por pa paralajmëruar se do të ketë ose jo “përgjegjësi” dje “dënim” për huliganët maqedonas që fyen rëndë shqiptarët në ndeshjen e basketbollit Maqedoni-Rumuni në sallën e sportit në Kumanovë.

“Ne i dënojmë fuqishëm dhe kërkojmë që të mos relativizohen, po ashtu do të përgjigjen nismëtarët e këtij provokimi. Sa i përket BDI-së: Ata nuk kanë të drejtë morale të flasin për dinjitetin e shqiptarëve. Ishin zëvendësministrat dhe funksionarët e BDI-së ata që rrinin ulur në kolltuqe, pa folur, pa protestuar dhe pa dhënë dorëheqje! As kur shqiptarët zvarriteshin në tokë, as kur arrestoheshin, as kur vriteshin nëpër rrugë, as kur poshtëroheshin në prag të shtëpive të tyre. Ata zgjodhën pushtetin para popullit. Mjaft me lot krokodili se ju njohim”, shkruan zëvendësministri Iseni, ndërkohë që asnjë fjalë nuk e thotë se në kohën kur fyeshin shqiptarët, në sallë ishte edhe shefi i tij, ministri Pançe Toshkovski.