Deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, zhvilloi sot një takim pune me z. Philippe Marcheteau, Këshilltar i Parë në Ambasadën e Francës në Shkup.
Në cilësinë e deputetit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe anëtarit të grupit punues për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, Bexheti diskutoi për procesin e përgatitjes së këtij dokumenti të rëndësishëm, me theks në avancimin e standardeve demokratike, rritjen e transparencës dhe forcimin e besimit të qytetarëve në proceset zgjedhore.
Gjatë takimit u diskutuan edhe zhvillimet aktuale politike në vend, veçanërisht procesi i integrimit evropian dhe ngecja që po e shoqëron këtë rrugëtim strategjik.
Bexheti theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet interes kombëtar dhe se avancimi i këtij procesi kërkon angazhim serioz dhe përgjegjësi institucionale.
Në fund, ai falënderoi përfaqësuesin francez për interesimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj proceseve demokratike dhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

