Deputeti Blerim Bexheti ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me përfundimin e punimeve për ndërtimin e shkollës në fshatin Nerovë, duke përgëzuar banorët dhe vlerësuar lartë rolin e Ambasadorit Meidani.

“Urime shkolla, banorëve të Nerovës!”, shkruan Bexheti, duke theksuar se ky investim ishte i nevojshëm dhe i shumëpritur nga komuniteti lokal.

Në postimin e tij, deputeti nuk la pa përmendur edhe rolin e veçantë të Ambasadorit Meidani, duke thënë se:

“Ambasadori Meidani? Po, ai bën më shumë se detyra e tij! Jo për show, por për drejtësi, për barazi, dhe për të rikthyer besimin aty ku të tjerët e kanë shitur për interesa personale.”

Bexheti gjithashtu ironizon me ata që sipas tij “zhurmojnë shumë, por bëjnë pak”, duke lënë të kuptohet se ka të tjerë që mundohen të përvetësojnë merita, pa ndonjë kontribut të vërtetë.

Postimi i tij vjen në një periudhë kur projektet infrastrukturore në zonat rurale janë në fokus të opinionit publik, ndërsa banorët e Nerovës më në fund kanë një arsye për të festuar.