Ka nisur punimet në ditën e tretë Samiti i IV i Diasporës, me tematikë “Përmes rrënjëve lartësohemi”. Samiti po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve dhe ka në fokus rolin e diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit, integrimin europian dhe ruajtjen e identitetit lkombëtar.

Dita e tretë e samitit ka nisur me një atmosferë simbolike bashkimi përmes “Mëngjesit të Vëllazërimit”, ku përfaqësues të komuniteteve fetare përcollën mesazhe paqeje, harmonie dhe bashkëjetese. Aktiviteti “Trashëgimia e së Shenjtës” theksoi rëndësinë e dialogut ndërfetar si një nga shtyllat kryesore të shoqërisë shqiptare, duke e konsideruar trashëgiminë shpirtërore si bazë për një të ardhme më të qëndrueshme.

Një nga panelet kyçe do të përqendrohet te diaspora si partner strategjik për integrimin evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Panelet do të vënë theksin te nevoja për përfshirje më të strukturuar të diasporës në politikat publike dhe procesin e afrimit me Bashkimin Evropian, duke e parë atë si një aset të rëndësishëm në përshpejtimin e reformave dhe zhvillimit ekonomik.

Paralelisht, paneli për botën arbëreshe do të sjellë në vëmendje rolin e diasporës historike në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare ndër shekuj. Rëndësia e bashkëpunimit kulturor dhe institucional për të mbështetur këtë trashëgimi unike dhe për ta përcjellë atë tek brezat e rinj, do të jetë një tjetër temë kyçe diskutimi në këtë ditë të tretë të samitit.

Në vijim, diskutimet do të fokusohen te migracioni, shtetësia dhe riatdhesimi, në një qasje të integruar për menaxhimin e lëvizjeve dhe përmirësimin e shërbimeve për diasporën, përmes digjitalizimit dhe forcimit të koordinimit institucional. Qëllimi është rritja e përfshirjes së diasporës në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Një tjetër pikë e rëndësishme do të jetë paneli mbi identitetin kombëtar dhe diplomacinë kulturore, ku do të diskutohet krijimi i një rrjeti të ri qendrash kulturore shqiptare jashtë vendit. Këto struktura synojnë të shërbejnë si ura lidhëse mes brezave dhe të promovojnë kulturën shqiptare në nivel global.

Pasdite, vëmendja do të zhvendoset te e ardhmja e bashkëpunimit me diasporën përmes panelit “Rruga përpara – nga komunikimi te bashkëveprimi”, ku do të prezantohen linjat kryesore të Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026–2030.

Në të njëjtën kohë, panele të tjera do të trajtojnë sektorë specifikë si: bujqësia dhe gastronomia, ku diaspora shihet si motor modernizimi dhe rritjeje cilësie në zinxhirin “nga fusha te tavolina”; sporti si diplomaci publike, duke theksuar rolin e sportistëve shqiptarë në promovimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare; si dhe arti dhe kultura në diasporë, që përfaqësojnë një formë të fuqishme të ruajtjes dhe transformimit të identitetit shqiptar në botë.