Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në Shtëpinë Muze të Alfabetit Shqip në Manastir të Maqedonisë së Veriut, në vendin historik ku u hodhën themelet e alfabetit kombëtar.
Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj trashëgimie kulturore dhe historike, kreu i qeverisë shqiptare u ndal te mesazhi i Kongresit të Manastirit, 118 vite më parë, duke vënë në pah rolin e gjuhës dhe të arsimit në bashkimin e shqiptarëve.
“Në shitoren e Ballkanit ka plot shtëpi ku burra të rëndësishme janë ulur pas një oxhaku për të vendosur për një luftë për një kufi, derisa këtu në këtë shtëpi 118 vite më parë njerëzit u ulën për të vendosur se si do t’i shkruanin njëri-tjetrit nga Manastiri në Shkodër.”
Rama veçoi gjithashtu figurën e Parashqevi Qirjazit si një nga zërat e rëndësishëm të Kongresit dhe një pikë referimi për nismat e përbashkëta arsimore.
“Mes burrave të këtij Kongresi ishte edhe një grua, Parashqevi Qirjazi, që u bë një frymëzim për ne kur bëmë abetaren e përbashkët me Kosovën.”
Sipas kryeministrit, gjuha shqipe përballet sot me sfida të reja, veçanërisht në raport me zhvillimet digjitale.
“Shqipja është në një agresion të madh si të gjithë vendet e vogla në kohën e teknologjisë”, tha Rama.
“Të dashur miq, në historinë e Ballkanit ka plot shtëpi ku burra të rëndësishëm ose më pak të rëndësishëm janë ulur rreth një oxhaku për të vendosur për një luftë, për një kufi apo për një gjak të marrë ose të falur.
Ndërsa këtu, në këtë shtëpi, 118 vjet më parë njerëzit u ulën rreth një tryeze për të vendosur si do t’i shkruanin njëri-tjetrit nga Manastiri në Shkodër, nga Prishtina në Vlorë apo nga Durrësi në Korçë, ku secili mund të kishte mësuar ta hidhte shqipen në letër me shkronja të ndryshme.
Dhe nëse kjo ishte një telash për dy dijetarë që donin të shkëmbenin letra, merret me mend se çfarë pengese ishte për një komb që s’kishte shkolla, s’kishte libra dhe asnjë gjuhë të shkruar bashkarisht për fatin e vet të përbashkët.
Këtu erdhën në ato ditë njerëz malesh, luginash e brigjesh deti, që faleshin në mënyra të ndryshme, që e flisnin shqipen me regjistra të ndryshëm dhe që kur vinte puna te alfabeti kishin parapëlqime krejt të ndryshme për shkronjat që do të merrnin përparësi.
Në fund kongresi pranoi dhe i hapi rrugën një tjetër uljeje rreth oxhakut, shumë dekada më vonë, kur gjuha shqipe u njësua në trupin që sot e gjithë ditën mban bashkë kombin tonë.
Mes burrave të këtij kongresi ishte dhe një grua e re nga ky qytet, Parashqevi Qiriazi. Ajo vinte nga shkolla e Vashave në Korçë dhe një vit më pas botoi këtu në Manastir, abetaren e saj. Sa herë flasim për ata që bënë historinë, mua më pëlqen të kujtoj këtë grua që me t’u mbyllur Kongresi, u ul dhe shkruante një libër për gjashtëvjeçarët. Dhe shumë vite më vonë, Parashqevi Qiriazi u bë frymëzim edhe për ne kur miratuam abetaren e përbashkët me qeverinë e Kosovës.
Sot është e lehtë t’i duartrokasim ata që bënë për gjuhën tonë punët e mëdha të shkuarës, por pyetja pak më e vështirë është çfarë pune na takon të bëjmë ne”, tha Rama.
