Tenderi i anuluar, sipas shumë gjasave në mënyrë të dyshimtë, nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRSH), lidhur e shërbime konsulence në një segment të Korridorit 8, ka arritur për shqyrtim në zyrën e Bankës Evropiane për Rikonstruim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër. Këtë e kanë konfirmuar për Zhurnal përfaqësues të BERZH-it në Londër.
Qeveria në njërën nga seancat e saj kishte autorizuar NPRSH-në që të shpallë tender në vlerë deri 1.8 milionë euro për zgjedhjen e një kompanie për konsulencë në ndërtimin e Korridorit 8, nën aksit Strogomishtë-Cërvicë. Yuksel Proje ka bë ofertë prej rreth 1.2 milionë eurove, duke e fituar tenderin falë ofertës më të ulët për rreth 300 mijë euro në krahasim me kompaninë tjetër që ka marrë pjesë në tender.
Mirëpo udhëheqësit e Yuksel Proje kanë mbetur të habitur kur janë informuar nga NPRSH se tenderi do të anulohet, pasi ishte fituar nga ana e tyre, me pretekst se gjoja nuk paskan përvojën e nevojshme.
Zhurnal fillimisht ka kontaktuar zyrën e BERZH-it në Shkup, por meqë përgjigja është vonuar, kemi kontaktuar drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e BERZH-it në Londër, që janë kompetentë për marrëdhënie me publikun.
Përgjigja nga Londra ka arritur më shpejtë se nga zyra e tyre në Shkup, që duhet thënë se është një paradoks në vete, kurse pas pak kohe ka arritur edhe përgjigja nga zyra në Shkup.
Ata na kanë konfirmuar se ky rast është duke u shqyrtuar nga BERZH.
“BERZH para ca kohe u informua nga NPRRSH për vendimin e tyre që ta anulojnë procesin e furnizimit për të cilin po na pyetni. Për momentin, Banka po shqyrton informatat e pranuara dhe do të bisedojë me NPRSH, me qëllim të vetëm të sigurojë harmonizim me Politikat dhe rregullat për furnizime të BERZH.
Kritetret e selektimit nuk bazohen vetëm tek karakteristikat teknike, por fokusohen edhe në përzgjedhjen e ofertës që ka karakteristika më të volitshme financiare dhe teknike”, thuhet në përgjigjen e zyrës qendrore të BERZH në Londër.
Edhe përgjigja e arritur nga zyra në Shkup është gati e njëjtë, me një dallim të vogël.
“BERZH para ca kohe u informua nga NPRRSH për vendimin e tyre që ta anulojnë procesin e furnizimit për të cilin po na pyetni. Për momentin, Banka po shqyrton informatat e pranuara dhe do të bisedojë me NPRSH, me qëllim të vetëm të sigurojë harmonizim me Politikat dhe rregullat për furnizime të BERZH.
Kritetret e selektimit bazohen tek karakteristikat teknike, por edhe në përzgjedhjen e ofertës që ka karakteristika më të volitshme financiare dhe teknike”, thuhet në përgjigjen e zyrës në Shkup, kurse dallimi në krahasim me përgjigje nga Londra është vetëm tek pjesa që e kemi nënvizuar.
Në shikim të parë duket se dallimi nuk është esencial dhe mund të jetë lëshim teknik. Mirëpo disa ekonomistë që i kemi konsultuar thonë se dallimi ëhstë mjaft i rëndësishëm, sepse tek përgjigja e BERZH Londër theksohet pesha e anës financiare të ofertës, aty ku edhe është përparësia e ofertës fituese të Yuksel Proje, kurse tek përgjigja e zyrës në Shkup sikurse vërehet tendencë të relativizohet pesha e anëns financiare të ofertës.
Të njëjtit ekspertë thonë se nëse nuk është gabim i rastësishëm, atëherë mund të ngjallen dyshime se zyra e BERZH në Shkup nuk e njofton në mënyrë reale opinionin në Maqedoninë e Veriut për qëndrimet e selisë së BERZH në Londër, por edhe anasjelltas: ngjall dyshime se zyra e BERZH në Shkup nuk e njofton në mënyrë reale selinë në Londër për gjërat që ndodhin këtu, e në të cilat BERZH është bashkëfinancuese.
Ndryshe ky tender, dyshohet se me vendim të drejtorit Ejup Rrustemi është anuluar edhe pse në mënyrë të rregullt ishte fituar nga kompania Yuksel Proje A.S. Bëhet fjalë për tender për shërbime konsulence në ndërtimin e Korridorit 8, në fazën e parë Bukojçan-Kërçovë. Ekspertët që kemi konsultuar kanë thënë për Zhurnal se vendimi dhe arsyetimi i NPRSH është i pabazë, sepse përvoja nuk ka qenë fare kusht që është kërkuar në tender, gjë që e dëshmon se edhe fakti se Sistemi elektronik, ku nuk mund të bëhet ndërhyrje politike ose e ndonjë grupi tjetër interesi, e ka pranuar ofertën dhe e ka shpallur fituese.
Për këtë arsye Zhurnal ka dërguar dy pyetje në Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, kurse përgjigja e premtuar para gati dy javëve, ende nuk ka arritur, që shton dyshimet lidhur me rastin. Zhurnal poashtu ka kërkuar përgjigje në Qeveri, sepse bëhet fjalë për Ndërmarrje Publike e jo për kompani private ose Shoqatë Aksionare, mirëpo as nga Qeveria ende nuk kemi përgjigje.
Heshtja e tyre shton dyshimet në opinion për prapavijën e anulimit të tenderit, por edhe shton frikën se me këtë vendim, krijohet bazë që kompnia Yuksel ta padisë Maqedoninë e Veriut në Gjykatë Ndërkombëtare dhe të dënohet me dënim të majmë, i cili do të paguhet nga mjete buxhetore që grumbullohen prej taksapaguesve./Zhurnal